E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët certifikojnë vetëm ndryshimet për zgjedhjet

Ndërkombëtarët kanë certifikuar menjëherë ndryshimet kushtetuese për reformën zgjedhore, duke zhgënjyer rëndë partitë e vogla, por kanë shfaqur rezervat për pjesën tjetër të ndryshimeve. Në unison, të dy përfaqësuesit e organizmave më të rëndësishme që matin, analizojnë temperaturën politike të Tiranës, pikërisht Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja, kanë hapur dritën e gjelbër për vazhdimin e reformave. Duke u dhënë një mbështetje të rëndësishme krerëve të dy partive të mëdha, përkatësisht Sali Berishës dhe Edi Ramës, gjë që është indikacion i qartë se e gjithë kjo reformë që solli ndryshimin e ligjit themeltar të Republikës, ka pasur miratimin paraprak të kancelarive perëndimore. Megjithatë, mbështetja duket se ka qenë vetëm për reformën zgjedhore, ndërsa për pjesën tjetër, kreu i prezencës së OSBE-së ka qenë në një mendim me Presidentin Topi: U miratuan me ngut të madh. I pari që është prononcuar ka qenë kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan. Duke folur në një takim me studentët, ambasadori i Brukselit zyrtar e ka cilësuar miratimin e paketës së ndryshimeve si "konsensuale e mjaft të gjerë". Pikërisht kjo frazë shpreh dhe qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët e cilësojnë mjaftueshëm një marrëveshje mes dy partive të mëdha. Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, më shumë sesa me përmbajtjen e këtyre ndryshimeve është marrë me konsensusin, pra me sasinë e madhe të votave që është dhënë për këto ndryshime. I gjendur në një universitet privat për të shpjeguar procesin e integrimit, Lohan iu përgjigj interesimit për këtë reformë. "Pikësëpari i takon Parlamentit shqiptar që të diskutojë këto ndryshime, si të sistemit zgjedhor ashtu edhe të Kushtetutës, ne nga ana jonë do t‘i analizojmë më shumë kujdes këto shtesa. Brenda BE-së ka një shumëllojshmëri të gjerë sistemesh të ndryshme zgjedhore, të cilat janë njëlloj demokratike me njëri-tjetrin, por u takon ligjvënësve shqiptarë për të vendosur se cili sistem është më i përshtatshëm për vendin e tyre. Nuk jam shumë i sigurt se sa ishte shumica e votave në ndryshimet e sistemit zgjedhor, por kjo tregon se ka pasur një konsensus të gjerë në Parlament në lidhje me ndryshimet", u shpreh Lohan. Ndërkaq, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh, në një deklaratë për shtyp ka dhënë "Ok" për ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Në deklaratën e firmosur nga diplomati holandez theksohet se "ky është një hap i qartë dhe i sigurt drejt adresimit të rekomandimeve të bëra në vitin 2005 nga OSBE-ja dhe Zyra e saj për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR)". Megjithatë, Bosh ka paralajmëruar politikën shqiptare, që problemet nuk kanë mbaruar për të, por vetëm justifikimet që kanë përdorur deri tani. Duke iu drejtuar autoriteteve dhe klasës politike, ambasadori Robert Bosh thekson se: "Megjithatë, çështje si administrimi i zgjedhjeve, ankimet dhe apelimet në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, financimi i partive politike dhe pjesëmarrja e grave mbeten ende për t‘u adresuar. Debati për Kodin Zgjedhor duhet t‘i zgjidhë përfundimisht edhe këto çështje". Nga ana tjetër, diplomati holandez ka preferuar të mos komentojë pjesën e ndryshimeve kushtetuese, që nuk lidhen me reformën zgjedhore, por vuri në dukje "mungesën e kohës së mjaftueshme për një debat të gjerë me përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›