Shkodër, 20 gjoba gjatë një jave për qytetarët dhe subjektet që ndotin ambientin

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Vetëm gjatë një jave, Policia Bashkiake e Shkodrës ka monitoruar dhe gjobitur mbi 20 raste të hedhjes së mbetjeve pa kriter, duke ndëshkuar ata që nuk respektojnë rregullat e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve.
Bashkia e Shkodër bëri të ditur se do të ketë zero tolerancë ndaj ndotësve që dëmtojnë hapësirat publike dhe imazhin e qytetit.
Altin Shabaj, drejtor i Drejtorisë së Pastrimit dhe Gjelbërimit, deklaroi se çdo rrugë, lagje dhe pikë grumbullimi është nën monitorim të vazhdueshëm.
Sipas tij, janë marrë masa konkrete ndaj shkelësve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos hedhin lëndë drusore, mobilie apo orendi shtëpiake në koshat e zakonshme, pasi ato nuk kanë vend në qytet, sipas rregullores bashkiake për menaxhimin e mbetjeve.
Ndërkohë, Henri Faci, menaxher i firmës që kryen shërbimin e pastrimit në qytetin e Shkodrës, foli për menaxhimin e intervaleve të pastrimit dhe evidentimin e zonave me problematika të përsëritura.
Ai theksoi se shërbimi po monitorohet me kujdes, por bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbeten vendimtarë për të ruajtur pastërtinë e përbashkët.
Në një kohë kur qyteti përballet me rritjen e sasisë së mbetjeve dhe shpesh abuzimin dhe papërgjegjshmërinë, institucionet kërkojnë bashkëpunim më të gjerë për të garantuar pastërtinë e mjedisit të përbashkët.
/e.i/j.p/