Shkodër/ Kryeministri Rama kritika Ademit: Na bllokoi për çdo gjë, pengoi investimet

Kryeministri Edi Rama, teksa ka prezantuar kandidatët për deputetë në qarkun e Shkodrës, nuk ka kursyer kritikat për kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, duke e cilësuar si “një person i paaftë dhe bllokues për çdo investim që ka dashur të bëjë qeveria”. Zoti Rama shprehet se ndryshe nga qendrat e tjera urbane që njohën zhvillimin, në Shkodër kjo mungoi, pasi, sipas tij, “bashkia ishte kryer në një mur bllokues, shurdh dhe qorr, që nuk lejonte që investimet të ecnin në këtë zonë”. Kryeministri Rama shprehet i keqardhur që kjo gjë nuk ka ndodhur në Shkodër, por shton se kjo, jo për faj të tij, por për shkak të pushtetit vendor dhe personit që e drejton atë, duke iu referuar Voltana Ademit.
“Këtu jemi përplasur me murin qorr dhe shurdh të qeverisë vendore të Shkodrës. Kemi reflektuar seriozisht mbi nevojën dhe ambicien e shkodranëve dhe u kemi paraqitur një zgjedhje që është më e mira që kanë pasur ndonjëherë me figura të reja që vijnë nga ky komunitet dhe me figura me eksperiencë që kanë dhënë kontribute të çmuara në komunitetet e tyre, qoftë në Malësinë e Madhe, në Pukë, apo në bashkinë e Vaut të Dejës. Sot, të gjithë ata që prej shumë vitesh ishin nën thundrën e një pushteti vendosur të korruptuar dhe krejtësisht pa lidhje me aspiratat e tyre, po e shohin vetë atë që po ndryshon hap pas hapi. Asgjë nuk është perfekt, por rruga e ndryshimit është hapur edhe aty. Jam i keqardhur sepse ka një të vërtetë të pamohueshme në shprehjen pakënaqësinë së njerëzve nga bashkia e Shkodrës, në raport me mua dhe qeverinë sot, si pasojë e një kontrasti që bëhet gjithnjë e më i thellë mes Shkodrës dhe Vlorës, apo Korçës dhe shumë qendrave të tjera urbane. Jam i keqardhur që s’kemi bërë më shumë, por jo se nuk kemi dashur. Kemi dashur dhe kjo numërohet lehtësisht në punët që kemi bërë përtej murit dhe bllokimit që ka bërë bashkia e Shkodrës dhe personi absurd që e drejton atë”, tha Rama.
Zoti Rama foli edhe për stadiumin e Shkodrës, duke theksuar se është skandalizuar nga gjendja e saj. Rama tha se qeveria kërkoi që stadiumi të menaxhohet nga FSHF, por bashkia Shkodër nuk e lejoi dhe për faj të saj tashmë stadiumi është kthyer në një gjendje të mjerueshme i mbuluar nga pisllëku.
“U skandalizova nga stadiumi i Shkodrës, krejt pjesa e mureve të jashtme, gardhet e sigurisë, mjedisi pisllëk. E nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Së bashku me FSHF kërkuam që stadiumit të mos menaxhohej nga bashkia, duke e ditur paaftësinë dhe paditurinë therëse të personit që drejton bashkinë Shkodër. Refuzuan dhe sot pamjet falsin vetë”, tha Rama.
Në Shkodër, Kryeministri Rama ka bërë një pasqyrë të atyre projekteve që janë bërë deri me tani në të gjithë qarkun.
“Kemi dhënë një shembull shumë të mirë për zonën e Shirokës që ka zhvillim shumë të mirë turizmi. Jemi gati për projektin për vijën liqenore për ta transformuar si lungomarja e Vlorës, apo si ajo e Himarës, apo si ajo e Durrësit. Për të gjitha këto kemi nevojë për besimin e shkodranëve dhe shkodraneve që është koha të shohin Shkodrën të parën, të shikojnë kalin që e çon matanë lumin dhe jo mbi gomarin e tifozllëkut partiak. Në Malësi të Madhe kemi hapur jo thjesht një rrugë të re, që të çon në kufi, aty ku gjenden një parajsë e Shqipëri, por kemi hapur një rrugë të re për turizmin. Në atë zonë bukuria ka qenë gjithmonë aty, por kushtet infrastruktura nuk stimulon ardhjen e vizitorëve. Mjafton të shihet Tamara si ishte dhe se si është, ku maksimumi mund të gjeje dyer për të luajtur bingo, ndërsa sot ajo ekonomi e vogël po ecën”, tha Rama.