E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoder/ Qendra e Informimit te BE-se prezanton portalin e migracionit

“Prezantimi i Portalit të Migracionit të BE-së - Si të gjejmë informacion rreth mundësive të punësimit dhe të studimit në Evropë”, ishte tema e takimit të organizuar sot në mjediset e zyrave të Qendres së Informimit të Bashkimit Evropian në Shkodër. Përfaqësues nga Shoqëria Civile, qeverisja lokale, studentë e pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” etj, ndoqën me interes referimet e përfaqësuesve së delegacionit të BE-se në Tiranë dhe në Shkodër, të cilët folën me detaje rreth këtij procesi.

Ermir Hoti, shef zyrës së Bashkimit Europian në rajonin verior me qëndër në qytetin e Shkodrës, tha se një aktivitet i tillë u organizua në kuadër të 18 dhjetorit, ditës ndërkombëtare të emigracionit. Sipas tij, të pranishmit në këtë takim patën mundësinë të ndjekin përmes vidioprojektorit pjesë nga prezantimi i Portalit te Migracionit të BE-së, ku përfshihej mënyra se si të interesuarit mund të gjejnë informacion e duhur rreth mundësive të punësimit dhe të studimit në Europë. Hoti tha gjithashtu se “duke qënë se emigracioni tashmë është bërë një fenomen mbarëglobal, është pikërisht kjo arsyeja që BE-ja ka proceduar në hapjen e këtij portali në informim të personave që emigrojnë ose synojnë të studiojnë në 27 vendet që përfshinë Bashkimi Europian.”

Duke iu referuar zyrës që ai drejton, Hoti tha se Qendra e Informimit e Bashkimit Evropian në Shkodër po luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces përmes organizimit të aktiviteteve të shumta sensibilizuese, qoftë me struktura të ndryshme shtetërore dhe të shoqërisë civile, si dhe me komunitetin, i cili vazhdon të informohet rregullisht në lidhje me kërkesat zyrtare të BE-së në lidhje me lëvizjen në hapësiren Shengen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›