Majko drejt OKB, ikën Seseri, Rama:Të përjashtohet Islami
Kreu i PS-së, Edi Rama, i ka kërkuar Grupit Parlamentar të përjashtojë deputetin Kastriot Islami, një prej themeluesve të PS dhe kryetari i parë i Kuvendit pluralist më 1991-shin. Propozimi i Ramës u bë dje në mbledhjen e Kryesisë së re të PS-së, ku u shqyrtuan mungesat e tre deputetëve socialistë, Pandeli Majko, Kastriot Islami dhe Rudina Seseri në votimin e kreut të KLSH, Bujar Leskaj, në Parlament. Në mbledhjen e parë të Kryesisë së re socialiste Rama ka tërhequr vëmendjen dhe ka kërkuar që të bëhet një vlerësim për mungesat e vëna re në mbledhjen e Grupit. Sipas Ramës, nga tre emrat që munguan, Majko, Seseri dhe Islami, vetëm Islami ka qenë i pajustifikuar. Duke shprehur vendimmarrjen e mbledhjes së shkuar të Grupit Parlamentar socialist, Rama mësohet të ketë thënë se këto raste nuk duhen toleruar, por duhet zbatuar Statuti. Rama ka këmbëngulur në kompetencat e Grupit Parlamentar për të diskutuar dhe vendosur për këtë thyerje të vendimmarrjes. Deputetët socialistë Arben Malaj dhe Ben Blushi i kanë kërkuar kreut socialist që para debatimit në Grup, Islami të takohet me kreun e Grupit, Ruçi, dhe të tregojë aty shkaqet që e detyruan atë që të mos ishte në momentin e votimit. Kreu socialist ka kërkuar që Majko, i cili mungoi në momentin e votimit, të shpjegojë arsyet e largimit nga seanca parlamentare. I gjendur nën trysninë e deputetëve socialistë, Majko i ka treguar Kryesisë se arsyeja e largimit nga seanca ishte organizmi i një videokonference në një nga ambasadat e huaja në Tiranë lidhur me kandidimin e tij për një post të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kjo arsye e Majkos e ka çtensionuar situatën në mbledhjen e Kryesisë, ndërsa anëtarët e saj i kanë uruar Majkos suksese. Gjithashtu, Rama i ka njohur anëtarët e Kryesisë me letrën që deputetja Rudina Seseri i ka dërguar atij me anën e së cilës e lajmëronte se linte mandatin e deputetit.
DEBATI
Reaksioni ndaj mungesës së Islamit dhe Majkos në seancën e së enjtes, kur votohej kandidati i maxhorancës për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, ishte krijuar menjëherë pas sakrificave që disa deputetë kishin bërë për të zbatuar vendimin politik të Grupit. Mësohet se një nga deputetët socialistë kishte lënë një nga familjarët e tij në spital në Itali dhe ishte kthyer në Tiranë për të qenë prezent në seancën e së enjtes. Gjithashtu, edhe një tjetër deputet i operuar në shtyllën kurrizore kishte ardhur në sallën e Kuvendit për të bashkuar votën me Grupin Parlamentar socialist. Largimi i Majkos dhe Islamit duket se ka krijuar reaksion dhe qëndrime të ashpra nga shumica e deputetëve që kanë kërkuar të jepen sqarime për sjelljen e dy deputetëve të Grupit të tyre Parlamentar. Socialistët kishin parashikuar se nëse i gjithë Grupi i tyre do të ishte në sallë, pa asnjë mungesë dhe me ta do të bashkohej dhe vota e Dritan Priftit dhe Vangjel Dules, kandidatura e Bujar Leskajt do të rrëzohej, duke ditur dhe tre abstenime nga Grupi Parlamentar demokrat për këtë kandidaturë. Ditën e martë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist pritet të diskutohet dhe të hidhet në votim për çregjistrim emri i deputetit socialist Kastriot Islami, pas mungesës së tij në votimin e së enjtes. Neni 36 i Statutit të PS përcakton rastet se kur deputeti çregjistrohet nga Grupi Parlamentar.
Debati për Islamin
Edi Rama: Dje ka pasur mungesa në votim. Ka munguar Pandi, Islami dhe Rudina. Pandi do ta sqarojë vetë mungesën. Rudina më ka kërkuar lënien e mandatit për shkak se ka angazhime në SHBA dhe smund të ndjekë punët e Parlamentit. Por kjo është çështje me të cilën duhet të merret Grupi Parlamentar. E kishim thënë se votimi i djeshëm ishte një vendim politik i Grupit dhe kisha kërkuar që të gjithë deputetët të ishin në sallë dhe të merrnin pjesë në votim.
Arben Malaj: Unë mendoj se zoti Islami të takohet me kryetarin e Grupit, zotin Ruçi.
Edi Rama: Nuk dua ta zgjasim më këtë çështje, meqë
është kompetencë e Grupit, le të jetë pjesë e vendimmarrjes së Grupit.
Ben Blushi: Le ta konsiderojmë ditën zero për këto thyerje të vendimeve politike. Mendoj se Islami duhet të flasë me kryetarin e Grupit sepse kjo është çështje e Grupit.
Edi Rama: E kemi vendosur në mbledhjen e fundit që të lëmë pas çfarë është bërë deri tani në Kuvendi dhe thamë që tani e tutje të zbatohet Statuti.
Islami: U interesova te drejtuesit e Grupit të PS, nuk ka vendim zyrtar
Deputeti socialist, Kastriot Islami, në një reagim të tij të parë pas njoftimeve se do të jetë Grupi Parlamentar që do të merret me qëndrimin e tij në Parlament, u shpreh se nuk është njohur me një propozim për përjashtim të tij nga Grupi Parlamentar. Nga shumë gazetarë dhe nga faqe të medias pranë Ramës jam bërë me dije për propozimin e Ramës për përjashtimin tim nga grupi i PS. Jam interesuar te një nga drejtuesit e Grupit Kuvendor të PS dhe më rezulton se nuk ka asnjë vendim zyrtar për këtë çështje. Kjo është arsyeja që nuk mund të kem asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje, u shpreh Islami. Deputeti socialist, në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, nuk u propozua as për në Kryesinë e re dhe as për në Sekretariat. Ish-sekretari për Çështjet Zgjedhore, Islami, ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj kreut të PS dhe vendimeve të tij si për bojkotin e Parlamentit të deputetëve socialistë, ashtu dhe për përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve të 2009-s dhe 2011-s. Vetëm një ditë më parë, Islami, në adresën e tij në rrjetin social Facebook, ka shprehur qëndrimin e tij ndaj vendimit të fundit të Grupit Parlamentar për Bujar Leskajn si kreu i KLSH-së. Përveç votimit kundër dhe pro, ka shumë mënyra të tjera alternative për të pasur një qëndrim inteligjent e institucional lidhur me emërimet e anëtarit të bordit të BSH, të kryetarit të KLSH, të Avokatit të Popullit, në mënyrë që PS të rezultonte një forcë politike që respekton shtetin ligjor, garantuese e zbatimit të Kushtetutës dhe forcimit të institucioneve dhe ngjall besimin e publikut për procesin e përzgjedhjes dhe të emërimit në institucionet publike, shprehej dje Islami në Facebook.
Majko drejt OKB si ndihmës i Ban Ki Munit
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, pritet të jetë ndihmës i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Është hera e parë që Shqipëria do të përfaqësohet në një nivel kaq të lartë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Vendimi do të merret në janar nga vetë sekretari i Përgjithshëm për të emëruar ndihmësin e tij për vendet e Europës dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit. Propozimi ka ardhur nga një ambasadë e huaj në Tiranë dhe i është dërguar selisë qendrore të OKB-së, ndërsa ditën e enjte Majko është larguar nga salla e Kuvendit, ku bëhej votimi për të marrë pjesë në një video-konferencë me selinë qendrore të OKB-së rreth këtij propozimi. Është hera e parë që propozimi nuk është bërë nga asnjë institucion shqiptar. Majko dje ka marrë përgëzime dhe nga kreu i PS dhe kolegët e tij në Kryesinë socialiste. Nëse Pandi do të emërohet në këtë post, do të jetë një nder shumë i madh për vendin, por dhe për Partinë Socialiste, mësohet të jetë shprehur Rama. Vetë Majko, në një sqarim për mediat dje në mbrëmje, sqaroi propozimin që atij iu bë për postin e lartë në OKB. Unë jam vënë në dijeni që emri im, si shqiptar, është duke u konsideruar për një kandidaturë të mundshme pranë Kombeve të Bashkuara, në pozicionin e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të Europës dhe vendeve të ish- Bashkimit Sovjetik dhe Kaukazit. Për një politikan karriere si unë, pavarësisht moshës sime të re, është gjithmonë i mirëpritur rasti për të dhënë kontributin individual përtej kufijve kombëtarë. Marrja në konsideratë për të qenë pjesë e mundshme e një qeverisje