E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Rama: Qeveria mos merret me opozitën por me njerëzit

SHKODËR- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i bëri thirrje qeverisë sot që të mos merret me opozitën, por të zgjidhë situatën e krijuar në zonat veriore. Pasi inspektoi zonat e përmbytura sëbashku me deputetin e PS-së, Pandeli Majko, Rama tha në një konferencë për shtyp nga qyteti i Shkodrës se, “në cdo vend të emancipuar në rastet e fatkeqësive duhen ngritur struktura me bazë partiake, komunitare, sociale e individuale, që nuk quhen struktura paralele, por struktura solidariteti si një shprehje e një vetëdije qytetare europiane në shekullin e 21, që për fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësinë për shkaktimin e kësaj katastrofe dhe sot kanë paturpësinë që të bëjnë politike me katastrofën duke u marrë me opozitën ndërkohë që duhet të merren me njerëzit.” theksoi Rama. Nga ana e tij, deputeti socialist, Pandeli Majko u shpreh se reagimi nga ana e opozitës ka të bëjë me shkak-pasojën , pra sipas tij, me pyetjen se “cfarë ndodhi e cfarë po ndodh aktualisht”. “Nisur nga qëndrimet e institucioneve të ndryshme përfshi dhe Presidentin e Republikës, të cilët duan ti japin një pamje rozë situatës që po ndodh, me shumë respekt për institucionin e Presidentit të Republikës, dëshiroj të them se aktualisht situata në qarkun e Shkodrës nuk ka nevojë për deklarime komisarësh, por ka nevojë për një reagim në nivelin e situatës” theksoi Majko. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›