Shkodër, banoret tek ish Divizioni në protestë, kërkojnë legalizim të shtëpive

Banorët e 132 familjeve në zonën e Ish-Divizionit Ushtarak në Shkodër thonë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 14 majit, në rast se banesat e tyre do vijojne të mos legalizohen. Ata thonë se kjo është mënyra e vetme që u ka mbetur në reagimin e tyre prej 3 dekadash.
Në fushatën zgjedhore të vitit 2013, banorët thonë se kryeministri Rama ka deklaruar se legalizimet për qytetarët tek ish divizioni janë kryer, kur nje gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Ata apelojnë për të gjithë klasën politike që të marrin parasysh kërkesat e tyre. Edhe pse e kanë paguar një tarifë të parë legalizimi, ende për ta nuk ka një zgjidhje të asaj që me bujë u cilësua nga qeveria si një prej premtimeve të forta elektorale asokohe, që do të duhej të zgjidhje në pak vite.
Banorët i kanë drejtuar edhe një letër publike ministrive, institucioneve qëndrore e lokale ku i parashtrojnë kërkesat që ato kanë dhe e mbyllin me kërcënimin për bojkot të zgjedhjeve.
Në total janë 132 familje. 26 familje jetojnë në ndërtesën dykatëshe të Ish Komandës së Divizionit, 45 familje jetojnë në ish fjetore dhe magazina të Ish Divizionit, ndërsa 20 familje kanë ndërtuar shtëpi të reja në tokat e lira përmes banesave ekzistuese. Po në këtë territor, 41 familje ushtarakesh u strehuan nga qeveria ne objektet që u ndërtuan për kosovarët, në krizën e vitit 1999.
Të gjitha këto familje kanë një kërkese të përbashkët, legalizim të këtyre pronave.
/ rtsh /