E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, eksploziv në makinëne ish-policit, në gjendje të rëndë

SHKODËR - Atentat i rëndë sot pasdite në qendër të Shkodrës. Një eksploziv me telekomandë ka bërë të shpërthejë makina e ish-efektivit të policisë gjyqësore të qarkut të Shkodrës, Kujtim Çardhaku.

Nga shpërthimi i fuqishëm ka mbetur i plagosur rëndë Çardhaku, i cili është transportuar në spital dhe është futur menjëherë në sallën e operacionit, por mësohet se me pak shpresë për jetën.
 
Siç bën të ditur korrespondenti i "A1 Report” në Shkodër, Elvis Nabolli, ngjarja ka ndodhur pranë pedonales “Koli Indromeno” në qendër të qytetit, në çastin kur Çardaku ka qenë duke futur brenda automjetit të tij, një Alfa Romeo, e parkuar në anë të rrugës.

Lënda e eksplovizit ka qenë vendosur në pjesën e përparme të automjetit, pranë trupit të Çardhakut dhe kjo ka bërë që dëmi të jetë i madh. Fatmirësisht ai nuk ka qenë i shoqëruar me njerëz të tjerë.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur organet e hetimit, por zbardhja e ngjarjes parashikohet e vështirë, siç ndodh zakonisht me rastet e shpërthimeve me eksploziv.

(Automjeti i shpërthyer në vendngjarje).

Magdalena Alla
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›