Shkodër, ekzekutohet me armë 41-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur natën e mbrëmshme në qytetin e Shkodrës. Një 41-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e shkuar. Ngjarja e rëndë, që tronditi banorët përreth, ndodhi rreth 22:30, në afërsi të kompleksit të lokaleve që ndodhen në anë të rrugës "Kol Idromeno". Sipas dëshmive të mbledhura nga policia, dy persona kanë qëlluar me armë në drejtim të disa kalimtarëve. Plumbat e pistoletës kanë rënë mbi shtetasin Nadir Çuku, i cili u dërgua urgjentisht në spitalin e Shkodrës, por pak minuta më vonë burri dha frymën e fundit. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, por ende nuk ka identifikuar autorët.