E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, fermerët duhet të plotësojnë kriteret për të përfituar nga subvencionet

Në kuadër të politikave mbështetëse për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, këtë vit është përfshirë edhe mbarështimi i derrave në skemat e subvencioneve.

Në qarkun e Shkodrës numërohen rreth 400 krerë dosa, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt formalizimit dhe zhvillimit të këtij sektori.

Përgjegjësi i sektorit të bujqësisë në këtë qark, Rifat Kodra, bën me dije se fermerët duhet të plotësojnë disa kritere për të përfituar nga subvencionet. Ndër kushtet kryesore është që ata të jenë të regjistruar dhe të rregullt me dokumentacionin, si dhe të kenë të paktën mbi 5 krerë dosa në fermat e tyre.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur që këtë vit, ndër masat mbështetëse, të jetë edhe subvencioni i dosave për prodhim të mishit, konkretisht për prodhimin e mishit të derrit në qarkun e Shkodrës.

Sipas konstatimeve tona si drejtori e bujqësisë, janë rreth 400 dosa që mbarështohen nga fermerët, kryesisht në bashkinë Vau i Dejës dhe në zonat përreth Shkodrës.

Është vendosur që për çdo dosë masa e subvencionimit të jetë në vlerën 70.000 lekë të vjetra, ose 7.000 lekë të reja për krerë. Gjithashtu, është vendosur një kufi minimal dhe maksimal: fermeri që do të përfitojë nga kjo masë duhet të ketë jo më pak se 5 dosa dhe jo më shumë se 50 dosa”.

Përfshirja e dosave në skemat e subvencionit pritet të ketë një ndikim pozitiv në mbarështimin e derrave. Kjo nxit rritjen e prodhimit vendas të mishit dhe produkteve të tjera, duke ulur varësinë nga importet dhe duke përmirësuar të ardhurat e fermerëve.

Fermerët që përfitojnë nga subvencionet kanë më shumë mundësi për të investuar në përmirësimin e kushteve të mbarështimit dhe në zgjerimin e aktivitetit të tyre.

Gazetare: M Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›