E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, hajdutët "zhveshin" rrugën muzeale të Gjuhadolit

Gjuhadoli i konsideruar si një 'Pjacë' e dytë nuk i shpëton shkatërrimit të personave të papërgjegjshëm. Edhe pse janë investuar fonde të konsiderueshme, edhe pse numri i vizitorëve të huaj dhe vendas në këtë rrugë është i madh, barbaria e personave anonim bën që vlerat e saj të zbehen. Gjuhadoli, lagja e vjetër e qytetit të Shkodrës e kthyer në identitet pas më shumë se gjysmë shekulli, nuk po i gëzohet realitetit të ri. Ashtu si shumë investime publike në qytetin e Shkodrës po shkatërrohet. 

Persona të paidentifikuar kanë vjedhur kapakët e pusetave gjatë gjithë rrugës. Jo vetëm kaq, por është ndërhyrë në pjesët e drurit dhe metalike të dyerve dhe dritareve. Bashkia e Shkodrës ka bërë disa herë thirrje për të ndërgjegjësuar qytetarët e saj që të mos bëjnë veprime të tilla, pasi janë miliona lekë që po shkojnë dëm. Po ashtu Bashkia e Shkodrës ka kërkuar ndihmën e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Megjithëse kjo situatë ka kohë që përsëritet, policia e qytetit verior ende nuk ka bërë një rast publik ku këta persona që prishën pronën publike dhe investimet të jenë kapur dhe vënë para ligjit. Pikërisht kjo neglizhencë e bluve ndaj rasteve të tilla ka bërë që keqbërësit të mos ndalin ritmin e dëmtimeve, por përkundrazi të jenë edhe më aktivë duke shkaktuar kështu edhe më shumë humbje për investimet e Bashkisë së Shkodrës. 

Meqenëse Gjuadoli është një rrugë që vizitohet shumë nga turistët, Bashkia e Shkodrës është detyruar që të bëjë disa herë riparimet e këtyre dëmtimeve, por këtë verë e lodhur dhe nga situata zgjedhore duket se bashkia i ka lënë pas dore ato. Investimi për zonën e Gjuadolit ka qenë rreth 1 milion e 300.000 euro, nga të cilat 1 milion janë financim i delegacionit të KE-së dhe 300.000 euro bashkëfinancim i Bankës Botërore dhe Bashkisë Shkodër. Sipas drejtorit të Monumenteve të Kulturës për Shkodrën, Ervin Gjini, projekti ka synuar që krahas rikonstruksionit të rrugës "Kolë Idromeno" ose "Piaca" siç e thërrasin shkodranët, të bëhet rikthimi në identitetin e hershëm edhe i rrugës së Gjuhadolit. "Kemi qenë shumë të kujdesshëm në hartimin e projektit. Kemi pasur në qendër të vëmendjes faktin që ndërhyrja të bëhet në bazë të asaj që përfaqëson kjo zonë. I kemi qëndruar strikt strukturës së vjetër dhe rezultati mund të shikohet qartë nga të gjithë. Ne duam që këto investime të jenë afatgjata dhe bëjmë thirrje që të mos dëmtohen", ka pohuar Ervin Gjini. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›