E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, konferencë ndërkombëtare për vlerësimin psikologjik dhe sfidat

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi Konferencën Ndërkombëtare Shkencore për Standardet e Vlerësimit Psikologjik, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe ekspertëve të fushës. Rektorja e universitetit, Prof. Dr. Blerta Dragusha, dhe dekania e Fakultetit të Shkencave të Edukimit, Prof. As. Dr. Eranda Bilali, vlerësuan rëndësinë e konferencës përballë zhvillimeve sociale, kulturore dhe teknologjike të shoqërisë.

“Universiteti i Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’, si një institucion me një histori 70-vjeçare, e konsideron kërkimin shkencor si një nga misionet e tij themelore”, tha Prof. Dr. Blerta Dragusha, rektore e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

“Inteligjenca artificiale, zhvillimi i teknologjive dixhitale, ndryshimet në fushën e komunikimit, sfidat e shëndetit mendor dhe nevoja për sisteme arsimore më gjithëpërfshirëse po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e individëve dhe komuniteteve, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja zhvillimi dhe sfida që kërkojnë zgjidhje inovative”, tha Prof. As. Dr. Eranda Bilali, dekane e Fakultetit të Shkencave të Edukimit.

Ndërsa Prof. As. Dr. Visar Dizdari, përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale, u ndal te sfidat që lidhen me vlerësimin psikologjik në Shqipëri dhe nevojën për përmirësimin e standardeve profesionale.

“Sfida për sa i përket mjeteve të vlerësimit psikologjik është pikërisht standardizimi i tyre, pra pasja e të njëjtit standard, mjete që të jenë të njëjta, të japin rezultate të ngjashme dhe të krahasueshme”, tha Prof. As. Dr. Visar Dizdari, përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë dhe Punës Sociale.

Konferenca u zhvillua në kuadër të një projekti kërkimor që synon të analizojë përdorimin e mjeteve të vlerësimit psikologjik në vend, të evidentojë boshllëqet ekzistuese dhe të propozojë zgjidhje për rritjen e cilësisë së shërbimeve psikologjike.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›