E Diel, 1 Nëntor 2026

Bimët mjekësore, burim të ardhurash për qindra familje në Kukës

Aguliçja dhe lulja e shtogut janë ndër bimët mjekësore që po mblidhen këto ditë në bjeshkët e Kukësit, duke shënuar nisjen e sezonit të mbledhjes dhe grumbullimit të bimëve medicinale në këtë zonë.

Sipas pikave të grumbullimit, këtë vit është vënë re një interesim i shtuar nga banorët për mbledhjen dhe dorëzimin e këtyre bimëve, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për shumë familje që jetojnë në zonat rurale.

Banorët shprehen se mbledhja e bimëve mjekësore vazhdon të mbetet një traditë e trashëguar ndër breza dhe një aktivitet ekonomik i rëndësishëm gjatë muajve të verës.

Megjithatë, grumbulluesit dhe banorët ngrenë si shqetësim kryesor rënien e kursit të euros, e cila sipas tyre ka ndikuar negativisht në fitimet nga tregtimi i bimëve mjekësore, pasi pjesa më e madhe e prodhimit destinohet për eksport.

Mbledhja e bimëve mjekësore mbetet një nga aktivitetet më të rëndësishme ekonomike sezonale në verilindje të vendit, duke kontribuar në të ardhurat e familjeve dhe në zhvillimin e ekonomisë lokale.

 Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›