E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, masakra ekologjike e mjedisore, liqeni kthehet në kënetë

SHKODER - Liqeni i Shkodrës kthehet në kënetë. Më shumë se kurrë ai po shkon drejt degradimit të plotë. Tashmë në këtë fillim vjeshte ai është kënetëzuar plotësisht. Pamja që ofron një nga pikat më të preferuar turistike për zonën e Shkodrës është rrënqethëse… Sipërfaqe të tëra janë kthyer në kënetë. Mbi 50 për qind e sipërfaqes së tij është mbuluar nga bimësia. Jo vetëm kaq por sipërfaqja e ujit është reduktuar si asnjëherë për shkak të thatësirës.
Në disa pjesë të liqenit, dy anët e tij po shkojnë drejt bashkimit. Specialistët vazhdojnë të japin alarmin i cili këtë herë duket se është një alarm jetë a vdekje. Sipas tyre bimësia ujore, ujërat e zeza dhe ato të bardha që derdhen në liqen prej 20 vitesh, mbetjet urbane, detergjentet me përbërje fosfori po kthehen në ekzekutues të Liqenit të Shkodrës. Indiferenca po shkatërron dhuratën që natyra i ka dhënë Shkodrës. Tashmë bashkë më kthimin e Liqenit në kënete po vijnë dhe probleme të tjera: era e keqe, insektet e shumta e bëjnë të pamundur qëndrimin në breg të Liqenit të Shkodrës. Turizmi ka pësuar një rënie të dukshme. Madje pronarët e lokaleve ngulnim këmbë që situata të mos behej publike se kështu nuk do tu vinin klientë. "Ju lutem mos e pasqyroni këtë situatë , pasi nuk do të na vijnë klientë në lokale. Ka kohë që kemi një numër të vogël klientësh në lokale," - shprehet një pronar lokali në Shirokë.

Në këto kushte, peshkatarët kanë mbetur thuajse pa punë. " Ne s´mund të dalim me lundra në liqen. Nuk mund të kalohet nga gjithë kjo bimësi. Po rrezikojmë jetën. Dalim, me vështirësi ndezim lundrat dhe kthehemi sërish me rrjeta bosh. Vetëm shpenzojmë karburant në rastet kur dalim," - pohon Hasani, peshkatar i vjetër.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›