E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masat shtrënguese, Athina pushtohet nga protestat

01-10-2011 / Gazeta 55

Punonjësit grekë të shërbimeve shëndetësore protestuan sot kundër masave të qeverisë që u kanë shkurtuar pagat dhe vendet e punës. Inspektorët e Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e masave shtrënguese ekonomike në këmbim të ndihmës financiare që do të mënjanonte falimentimin e Greqisë muajin e ardhshëm.
Ndërsa diskutimet për Greqinë vazhdojnë në heshtje të plotë, qendra e Athinës u bë përsëri arenë e protestave kundër masave të rrepta në tryezën e negociatave.
Qindra punonjës të shëndetësisë dolën në protesta për të kundërshtuar shkurtimin e pagave dhe të vendeve të punës në këtë sektor si pjesë e programit të qeverisë.
“Të gjitha masat shtrënguese janë kundër nesh. Unë jam infermiere dua të më kuptojnë se kam 25 vjet punë, kam diplomë dhe me këto masa paguhem vetëm 1100 euro në muaj. Si do të mund të kujdesem për pacientët? A mund të ketë shërbim të mirë shëndetësor me 1100 euro në muaj? - pyet 48 vjeçarja Angeliki Akrivopulu.
“Merrja 1 mijë euro në muaj dhe tani marr vetëm 600. Kush mund të jetojë me 600 euro në muaj? Le të na përgjigjen ministrat dhe deputetët – thotë infermierja Kiriaki Vuyu.
Athina u ka premtuar drejtuesve të BE-së dhe FMN-së se do të vendosë mijëra punonjës të sektorit publik në të ashtuquajturën forcë rezervë të punës, duke bërë të mundur pushimin nga puna për herë të parë të punonjësve të sektorit publik në këmbim të ndihmës.
Por zyrtarët thonë se zbatimi i kësaj mase është shumë i komplikuar në vendin ku kushtetuta mbron punonjësit e sektorit publik.
Inspektorët e BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane do të analizojnë planet e reja për të paktën një javë. Shumica e analistëve presin që ata të miratojnë këstin tjetër të ndihmave, megjithëse shumë të tjerë presin që Greqia të mos jetë në gjendje të paguajë.
Ndërkohë dhoma e ulët e parlamentit gjerman miratoi sot ndihmën prej 620 miliardë dollarësh për fondin evropian të stabilitetit financiar.

Kriza greke, pas Gjermanisë edhe Franca premton mbështetje

Presidenti francez Nikola Sarkozi ofroi mbështetjen e Francës për Greqinë, gjatë një takimi në Paris me kryeministrin grek Jorgos Papandreu. Sipas presidentit francez dështimi i Greqise do të ishte dështimi i të gjithë Europës. Ndërkohë Kryeministri grek zhvilloi dje një ditë të gjatë bisedimesh me liderët e BE-se lidhur me këstin e rradhës që Greqisë i nevojitet për tëevituar falimentimin.
Papandreu theksoi se Athina është e hapur që të presë vëzhguesit Europianë dhe të vendeve të tjera për të parë sakrificat që po bëhen për të ndryshuar Greqinë. Kreu u qeverisë greke zhvilloi gjithashtu dhe një takimi me kreun e Keshillit Europian Herman Van Rompuy.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›