Shkodër, shtyhet varrimi i dy vëllezërve Pjetrushi

Shtyhet varrimi i dy vëllezërve të ish-shefit të krimeve në Shkodër Prel Pjetrushi të ekzekutuar në orët e para të ditës së premte në qytetin e Shkodrës.
Nik dhe Gjovalin Pjetrushi, të cilët janë ekzekutuar me armë zjarri në fshatin Grudë të Komunës Rrethina në Shkodër nga Admir Tafili, do të përcillen për në banesën e fundit të dielën në orën 13.00.
Ndërkohë që shtëpinë e familjes Pjetrushi e ka mbuluar zija dhe gjëma për të ndjerët, varrimi I dy vëllezërve është shtyrë pasi ceremonia pritet të zhvillohet në prani edhe të vëllait të tyre, Prel Pjetrushi, I cili ndodhet në Amerikë. Ai është nisur menjëherë pasi ka mësuar ngjarjen e rëndë, atë të vrasjes së dy vëllezërve të tij.
Policia bën me dije se dy vëllezërve u është bërë atentat dhe vrasja dyshohet të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Krimi është kryer në vazhdën e një zinxhiri krimesh të tjera, ku zanafilla e tyre fillon që prej 11 vite më parë.
Prel Pjetrushi në kohën kur ushtronte postin e shefit të krimeve në Shkodër dyshohet se ka vrarë babain e Admir Tafilit gjatë operacionit kur u vra edhe drejtori i policisë së asaj kohe në Shkodër, Arben Zylyftari.
Ndërkohë Admir Tafili, tashmë i arrestuar nga forcat e policisë mbrëmjen e së premtes në një lokal në kryeqytet ishte arratisur nga burgu i Shën Kollit në Lezhë disa muaj më parë gjatë vitit 2010.