E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, zgjedhjet në Shalë, kandidatët ruhen nga RENEA

Dy kandidatët për kreun e komunës Shalë, për të cilët u votua dje, Dedë Tonaj i PD-së dhe Bal Vuksani i PS-së, janë shoqëruar nga forca speciale në çdo lëvizje të tyre. Kjo dhe për shkak të konfliktit mes dy familjeve për shkak të kandidimit

SHKODËR E vetmja njësi vendore në vend që akoma nuk ka kryetar është komuna Shalë, ku dje janë zhvilluar zgjedhjet, sipas vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Votimi ka vijuar i qetë dhe pa incidente, ndërsa pjesëmarrja ka qenë mbi 50% e votuesve. Pas përfundimit të votimit në orën 19.00 të ditës së djeshme, materialet zgjedhore janë zhvendosur në KZAZ-në 42 në Shkodër, për të filluar numërimin. Zgjedhjet e mbajtura më 8 Maj në këtë komunë u shpallën të pavlefshme nga KQZ-ja, e cila kërkoi përsëritjen e tyre më 31 korrik. Por mosmarrëveshjet mes përfaqësuesve të dy partive, PD dhe PS, penguan zhvillimin e procesit që u shty më 21 gusht.

Votimi

Baza materiale është tërhequr që pasditen e së shtunës dhe është marrë në ruajtje nga policia. Procesi i votimit nisi që në orën 07.45 minuta, dhe u zhvillua në të 5 qendrat e votimit. Komuna Shalë ka 2800 zgjedhës me të drejtë vote. Fluksi më i madh është vërejtur në qendrën e votimit në Breg të Lumit. Gjatë paradites kanë ardhur nga Shkodra mjaft furgonë që kanë sjellë votues, banorë të kësaj zone që jetojnë në qytet e rrethinat e tij, ndërsa në mesditë e pasdite numri i votuesve ka qenë më i pakët. Forca të shumta policie janë vendosur në komunën e Shalës, larg qendrave të votimit, por të gatshme për të ndërhyrë nëse do kishte probleme si me 31 korrik, ku banorët nuk lejuan me forcë që materialet zgjedhore të zbrisnin nga helikopteri. Dy kandidatët për kreun e komunës Shalë, për të cilët u votua dje, Dedë Tonaj i PD-së dhe Bal Vuksani i PS-së, janë shoqëruar nga forca speciale në çdo lëvizje të tyre. Kjo dhe për shkak të konfliktit mes dy familjeve, konflikt i lindur për shkak të kandidimit të tyre për kreun e komunës Shalë dhe ku kushëriri i parë i Bal Vuksanit u plagos nga xhaxhai i Dedë Tonajt.

Arrestimet

Pengimi i procesit zgjedhor në komunën e Shalës në Shkodër më 31 korrik solli vënien në pranga të 5 personave, që janë akuzuar për “Pengim të subjektit për zgjedhjet në organet përfaqësuese”. Ditën e votimit, në fund të muajit korrik, në momentin kur materialet zgjedhore kanë mbërritur me helikopter, në vendin e quajtur Breg Lumi, të Komunës Shalë, grupe të ndryshme personash janë vërsulur në drejtim të komisionerëve, duke bërë kështu bllokimin e komisionerëve dhe të rrugë-kalimeve për te qendra e votimit, me argumentin se nuk ishin dakord me komisionerët e caktuar për zgjedhjet vendore në komunën Shalë, Shkodër. Si pasojë e kësaj situate, u krijua një konflikt midis dy grupe personash simpatizantë të dy subjekteve politike të “Aleancës për të Ardhmen” dhe “Aleancës për Qytetarin”, duke bërë të mundur pengimin me dhunë të subjekteve elektorale, për zhvillimin e rregullt të aktivitetit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›