E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodranët kërkojnë teatrin

Drama “Ylli i mëngjesit”, e shkruar nga Odise Plaku dhe e vënë në skenën e teatrit "Migjeni" të Shkodrës nga regjisori Edmond Mëhilli, është shfaqur për tri net radhazi, por interesi dhe kërkesa e artdashësve shkodranë për bileta ende vazhdon. Burime nga teatri se për këtë shfaqje është shënuar një interesim rekord nga spektatorët, një pjesë e të cilëve nuk ka mundur ende të sigurojë biletë në tri netët e para. Ata thanë se çdo natë shfaqja është ndjekur nga më se 500 spektatorë në plate, të pajisur me bileta dhe nga shumë të tjerë që kishin zënë vend në lozhat. Për këtë arsye, drejtuesit e teatrit “Migjeni” po shikojnë mundësinë që shfaqja e dramës të vazhdojë edhe disa ditë të tjera për publikun shkodran. Drama ka në qendër raportin e prindit me fëmijën, braktisjen dhe vetminë. Krahas këtyre, ndeshet dhe tema e korrupsionit. Autori i dramës, Odise Plaku, shprehu kënaqësi për suksesin dhe vërejti se tema e trajtuar prek pak a shumë të gjitha familjet shqiptare. Ndërsa regjisori Edmond Mëhilli, një emër i njohur i skenës së këtij teatri, por që mungonte prej vitesh në këtë skenë, tha se drama u përcjell edhe një mesazh të rinjve, të cilët një ditë do të ndahen nga prindërit, por, vërejti ai, "e ardhmja e tyre dhe e prindërve të tyre nuk duhet të jetë si në këtë dramë".

Duartrokitje të shumta mori dhe aktori i rolit kryesor, Enver Hyseni, i cili paraqiti figurën e babait të braktisur. “Aktori e ka për detyrë të sjellë interpretime, kujtesa dhe emocione në rolin e tij, por unë do të doja të theksoj një fakt real që më ka shoqëruar në këtë rol, pasi edhe mua më ka lënë nëna 9 vjeç, dhe kur thosha “sa më ka dashtë mu nëna e jeme…”, e kisha sinqerisht edhe për vete”, - thotë Hyseni. Në luajtën Fran Vuka, aktor nga qyteti i Pukës, në rolin e djalit dhe Rajmonda Marku, në rolin e nuses së tij, si dhe Rita Gjeka, Agron Dizdari, Marije Qyrsaqi dhe Anton Krosaj.

Ermela Teli, një “Antigonë” italiane

Premiera e tragjedisë antike “Antigona”, e rishkruar nga dramaturgu francez Jean Anouihl (Zhan Anui), u shfaq një natë më parë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit, në këndvështrimin e regjisorit italian Yuri Dini, si një teatër jashtë kornizave klasike, që synon të ecë drejt teatrit alternativ. Ajo u përgatit nga kompania “Bah Teatër” dhe teatri “Aleksandër Moisiu”, me financimin e Bashkisë së Durrësit.

Tragjedia e Sofokliut, e cila u rishkrua në vitet '40 të shekullit të kaluar nga Anui, sjell historinë e njohur të Antigonës, motrës që varros kundër vendimit të sundimtarit të qytetit vëllanë e vrarë në një luftë absurde. Kreonti, mbreti, ka urdhëruar që Poliniku të mos varroset, duke e konsideruar tradhtar të qytetit të Tebës. Por Antigona nuk i përfill urdhrat e tij dhe pavarësisht kurtheve dhe intrigave të Kreontit, i bindet vetëm zërit të brendshëm, që i thotë se i vrari pabesisht, vëllai i saj, duhet të varroset në mënyrë të denjë. Regjisori ka ndërtuar një shfaqje të mbështetur në teatrin e lëvizjes, ku plastika aktoriale dëshmon më shumë se sa fjala për gjendjen psikologjike të personazheve. Mesazhi i subjektit vjen deri në ditët tona përmes elementëve modernë, si lajmet televizive apo pamjet e ekranit shqiptar.

Dekori thuajse i padukshëm, ndriçimi me efekte ku zjarri vjen si pjesë e mesazhit, si dhe muzika me elementë tradicionalë dhe modernë njëkohësisht, që shkojnë nga lahuta e fyelli deri te vokali njerëzor dhe kitara elektrike, i dhanë skenës së teatrit të Durrësit një pamje që dilte nga korniza klasike.

Antigona sillet në skenë nga Ermela Teli, e cila vjen në qytetin ku ka lindur, si një aktore me përvojë të pasur artistike. Personazhi i krijuar prej saj mbështetet mbi lojën e brendshme psikologjike dhe qëndron përballë një Kreonti të ndërtuar me kujdes nga Neritan Liçaj mbi motivet e së keqes së përbotshme.

Aktorja franceze Valerie-Anne Desmaret e kompanisë teatrore të Lilës u ngjit në skenë për të sjellë lojën e zjarreve, një shfaqje e veçantë në finalen e tragjedisë, ndërsa Yuri Dini, Ilirian Pema dhe Linda Rukaj, me përvojën e tyre në teatrin e lëvizjes dhe talentin muzikor, plotësuan ansamblin artistik të përgatitur nga regjisori italian.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›