E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkolla ”1 Maji” feston 65-vjetorin, aktivitete festive dhe koncerti i nxënësve

Në 65-vjetorin e themelimit të shkollës “1 Maji” në kryeqytet, nxënës, mësues dhe prindër ndoqën aktivitetet e shumta festive të organizuara nga nxënësit e shkollës dhe stafi pedagogjik.

Për këtë vit jubile të shkollës 9-vjeçare “1 Maji” nuk ka munguar as festivali artistik, ku nxënës të talentuar të kësaj shkolle kanë recituar dhe kënduar, ndërsa të ftuar ishin edhe këngëtarë të famshëm të skenës shqiptare.

Për drejtoreshën e shkollës zonjën Entela Lika, ky institucion ka nxjerrë ndër breza personalitete të rëndësishme si dhe ka kontribuar në përçimin e dijes.

“Kjo shkollë ka pasur breza dhe gjenerata të mrekullueshëm. Do të përmendja ish ministren e shëndetësisë Anila Godo, koreografja Linda Kalemi, vajzat e Lasgush Poradeci apo dhe ministrja aktuale e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ka plot të tjerë. Ka pasur ish- nxënës dhe ish- mësues të përkushtuar të cilët me shumë dashuri dhe përkushtim i kanë dhënë kësaj shkolle. Kemi pasur shumë fitues, sportistë që kanë dalë nga kjo shkollë”, tha Lika.  

Mes aktiviteteve të organizuara ishte një ekspozitë me punime të nxënësve dhe panairi i ushqimeve tradicionale.

Gazetar: Norel Zaimi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›