E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbulohet “shtëpi bari” në Tiranë, arrestohen dy vëllezër dhe punonjësi i OSHEE-së

Policia e Tiranës ka zbuluar një ambient të përshtatur për kultivim të lëndëve narkotike në fshatin Laknas.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Llamba” u arrestuan dy vëllezërit, pronarë të “shtëpisë së barit” dhe një punonjës i OSHEE-së për shpërdorim detyre.

Policia njofton se ka arrestuar shtetasit Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç.

Gjithashtu në pranga është vënë punonjësi  i OSHEE-së, shtetasi E. P., 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.

Babai i dy vëllezërve  shtetasi Z. M., 66 vjeç, u procedua në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.

Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›