E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla “22 Tetori” në Berat, hapësira të reja për mësim, art dhe aktivitete komunitare

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Shkolla “22 Tetori” në Berat ka hapur dyert këtë shtator për rreth 500 nxënës dhe mësues me kushte bashkëkohore për zhvillimin e orëve të mësimit.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale tha se shkolla e re “22 Tetori” në Berat ka hapur dyert për nxënësit e saj, në ambiente të reja.

Në hapësirën e shkollës “22 Tetori” në Berat, janë të integruara edhe hapësirat për artin dhe zejet, duke e shndërruar atë jo vetëm në një institucion arsimor, por edhe në një qendër komunitare që bashkon nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

Shkolla e re përfshin salla shumëfunksionale, laboratorë, bibliotekë, dhomë mjeku, hapësira për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër, si dhe ambiente ndihmëse.

Arkitektura e re e shkollës plotëson ansamblin e qendrës së qytetit, së bashku me sheshet e reja, rrugët e rehabilituara me kalldrëm dhe gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”.


/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›