E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti takon Erdogan në Nju-Jork, flasin për sigurinë dhe industrinë e mbrojtjes

PRISHTINË, 22 shtator /ATSH/ Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Nju-Jork.

Takimi me dyer të mbyllura u zhvillua në Shtëpinë Turke, Turkevi, në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, raporton KosovaPress.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës së Turqisë, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-Turqi, si dhe për zhvillimet rajonale dhe globale.

Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të ndërmarrë hapa për rritjen e tregtisë dypalëshe, në përputhje me potencialin e dy vendeve.

Presidenti turk theksoi gjithashtu synimin për avancimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.

Erdogan i tha Kurtit se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të siguruar “vendin e saj të merituar” në bashkësinë ndërkombëtare.

Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e Ankarasë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Gjatë takimit, Erdogan e ftoi Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Liderëve COP31, që Turqia pritet ta organizojë në nëntor në Antalya.

Turqia ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, më 18 shkurt 2008, një ditë pas shpalljes së saj.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›