Shkolla 9-vjeçare “Riza Shera”, Sako: Pas rikonstruksionit, kushte më të mira për 130 nxënës

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Riza Shera” në Radë të njësisë administrative Manzë në Durrës, po rikonstruktohet tërësisht.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako inspektoi sot punimet që po kryhen në këtë shkollë, të cilat mundësohen nga programi EU4Schools, zbatuar nga UNDP dhe financuar nga BE.
“Jemi në mes të procesit të rikonstruksionit, do të kemi punimet e rifiniturave, sistemet e ngrohjes, ftohjes, sistemet elektrike do të bëhen nga e para. Nga 38 objekte që kemi në bashkinë e Durrësit, 22 janë vetëm me programin i EU4Schools, por ka edhe objekte që financohen nga donatorë të tjerë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në qytetin e Durrësit, kjo është një punë që nuk do ta bënim dot vetëm në një afat 4-vjeçar”.
Kjo shkollë do të ofrojë standarde evropiane për 130 nxënës, stafin pedagogjik dhe 25 fëmijë të kopshtit. Ajo do të ketë kushte moderne me 9 klasa, 2 laboratorë, dhomë mjeku e psikologu, 1 bibliotekë, një klasë burimore për nxënësit me AK, si dhe një fushë basketbolli e një pistë vrapi me tartan.
Shkolla “Riza Shera” është ndërtuar në vitin 2003, pas dëmit nga tërmeti iu nënshtrua një rikonstruksioni dhe një shtesë në pjesën e pasme të saj.
Palestra do të ndërtohet me konstruksion metalik dhe e mbuluar nga sipër. Po ashtu do të ndërtohet edhe një kënd lojërash që do t’i shërbejë fëmijëve të kopshtit, si dhe do të ketë edhe një ashensor për fëmijët me aftësi të kufizuar.
/k.s/r.e/