E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla “Vilson Blloshmi” në Librazhd, standarde bashkëkohore për 450 nxënës

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ka përfunduar transformimi i shkollës 9-vjeçare “Vilson Blloshmi” në Librazhd, një investim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Librazhd, që do të presë 450 nxënës në vitin e ri shkollor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se shkolla është rindërtuar sipas standardeve bashkëkohore, duke u ofruar nxënësve dhe mësuesve kushte moderne për mësim dhe aktivitete sportive.

“Një tjetër shkollë e re, me të gjitha kushtet dhe sipas standardeve bashkëkohore, për 450 nxënës të Librazhdit. Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Librazhd, shkolla ‘Vilson Blloshmi’ është transformuar plotësisht për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor”, shkroi Rama.

Sipas tij, objekti tashmë disponon ambiente moderne, një palestër të re dhe terrene sportive, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor, sportit dhe aktiviteteve jashtëshkollore.

Investimi, i realizuar në bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Librazhd, ka përfshirë rikonstruksionin e plotë të godinës, vendosjen e sistemit kapot për izolimin termik, instalimin e ngrohjes qendrore, si edhe shtimin e klasave për t’iu përgjigjur rritjes së numrit të nxënësve.

Shkolla e rikonstruktuar pritet të hapë dyert për nxënësit me nisjen e vitit të ri shkollor, duke ofruar infrastrukturë moderne dhe kushte bashkëkohore për mësimdhënie dhe edukim.

1 nga 6

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›