E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Shkolla e Drejtorëve”, interes në rritje – Dhjetëra aspirantë të përfshirë në programet e trajnimit

Shkolla e Drejtorëve, një institucion që prej 7 vitesh ofron trajnime të detyrueshme për drejtuesit e arsimit parauniversitar, po zgjerohet gjithnjë e më shumë edhe në qarkun e Shkodrës.

Dhjetëra mësues dhe aspirantë për drejtues janë përfshirë aktualisht në programet e kësaj shkolle, e cila synon të rrisë cilësinë e drejtimit në institucionet arsimore.

“Interesi është goxha i lartë. Ne aktualisht jemi në brezin e shtatë. Kemi pothuajse rreth 400 pjesëmarrës, të cilët e ndjekin programin në gjithë Shqipërinë. Nga Shkodra kemi një grup prej rreth 60 pjesëmarrësish të ndarë në dy grupe. Në Shkodër, ky është brezi i dytë i programit dhe nga viti në vit shohim një rritje të pjesëmarrësve në programin e ekselencës,” thotë Eurona Leka, menaxhere e programit të Shkollës së Drejtorëve.

Pjesëmarrësit trajnohen për të zhvilluar kapacitetet e reja menaxheriale, për të udhëhequr me vizion dhe për të ndikuar pozitivisht në cilësinë e mësimdhënies.

“Shkolla e lidershipit është më shumë për të kuptuar që nuk duhet parë për drejtimin e një shkolle, por si një menaxher i së ardhmes, për të qenë bashkëpunues me mësuesit, nxënësit dhe prindërit,” thotë Ardita Uka, një aspirante në programin e trajnimit.

Risia e këtij programi qëndron në ndryshimin e filozofisë së drejtimit të shkollës nga një qasje tradicionale autoritare, drejt një modeli bashkëkohor kolegjial dhe gjithëpërfshirës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›