Shkolla e restaurimit, përfundon pjesa kombëtare e programit
Elsa Demo
Me shpërndarjen e 24 diplomave të studentëve të trajnuar në kurset e konservimit dhe restaurimit pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, mbyllet faza e parë e një programi të plotë që UNESCO po mbështet në Shqipëri.
Mund ta quanim pjesa e pastër kombëtare e programit, sepse gjatë kësaj faze zhvillohen kapacitetet e ekspertëve shqiptarë të restaurimit, thotë për Shekullin Sinia eum, mbikëqyrësi i UNESCO-s për shkollën shqiptare të restaurimit. Në një fazë të dytë, kurset e trajnimit do të përfshijnë ekspertë nga vendet e Europës Juglindore. Në këto 5 vjet, shkolla është stabilizuar, pra po ecën sipas parashikimeve. Tani qeveria shqiptare është duke ndërmarrë një proces të ri, për ta kthyer shkollën në një qendër rajonale të UNESCO-s të kategorisë së dytë.
Përgatitja e një gjenerate të re të specialistëve të trashëgimisë ndodh në kurse periodike pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës, në bazë të një marrëveshjeje që Ministria e Kulturës dhe UNESCO nënshkruan në vitin 2005 për krijimin e Qendrës së Konservimit dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Nisma mbështetet nga Qeveria Italiane.
Kurset nisën në vitin 2007 me trajnimin e arkitektëve dhe inxhinierëve për restaurimin e veprave arkitektonike dhe të veprave të artit (ikona e afreske), më pas për konservimin e gurit, por edhe në materiale të tjera, siç është rasti i Edlira Çaushit e cila mori një diplomë për materialet arkeologjike në xham, metal dhe qeramikë. Çaushi e cila është nga pionieret e programit, dhe njëherësh koordinatore e projektit, thotë se jo të gjithë e kalojnë klasën. Studentët seleksionohen gjatë rrugës, në bazë të asaj që ata japin në leksionet teorike e në praktikë.
Kursi i fundit, 2011-2012, është trajnuar në laboratorin e ikonave, i ngritur brenda shkollës, ndërsa kantieri është zhvilluar mbi katër monumente të Beratit: në Xhaminë e Kuqe në kala, në Kishën e Shën Mëri Vllahernës, në Kishën e Shën Triadhës, dhe për pikturën murale në Kishën e Shën Kollit. Restauratorët e gurit e të mermerit kanë punuar mbi objekte nga fondet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit e Tiranës, por pasi kanë punuar me objekte të reja, të cilat thyhen dhe më pas rindërtohen. Trajnimi përfshin deri dhe mënyrën e ekspozimit të objekteve në muze, që është një nga dobësitë që paraqesin muzetë shqiptarë.
Nuk u kanë shpëtuar gjykimeve këta të rinj restauratorë. Ka specialistë të vjetër që thonë se ata po i shkatërrojnë objektet. Edlira Çaushi i quan të pabaza këto paragjykime. Në këtë shkollë njerëzit nuk vijnë nga hiçi. Kemi të bëjmë me arkitektë, restauratorë, inxhinierë, punonjës të muzeve, galerive të artit, të parqeve arkeologjike dhe drejtorive rajonale të monumenteve, institucione që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës, të cilët kanë vite që janë familjarizuar me trashëgiminë dhe tani ata vetëm se rriten profesionalisht. Provë për këtë, siç thotë Edlira janë objektet e restauruara deri më tani. Një garanci është niveli i stafit pedagogjik, qoftë profesorët shqiptarë, si Emin Riza, Hasan Nallabani, Gjerak Karaiskaj, e sidomos ata të huaj që vijnë nga Istituto Superiore Centrale per il Restauro, Università La Sapienza, Università di Genova, Polo Museale di Venezia, emra që i kemi lexuar vetëm në literaturë, dhe janë udhëzuesit e metodave të reja dhe materialeve të reja që përdoren sot në restaurim, shton Çaushi. Shqipëria nuk ka patur shkollë restaurimi. Veç përgatitjes profesionale, specialistët punonin me mungesa të mëdha materiale. Nganjëherë është për tu admiruar puna e tyre në kushtet ku kanë punuar. Sot kemi mundësi të njohim mënyrat e reja të ndërhyrjes në objekte dhe të përdorim materiale të sapoeksperimentuara e të sjella enkas për kurset. Në këtë kuptim Shkolla e restaurimit është një dritare për gjithë botën e trashëgimisë sonë.
Kursi i ardhshëm mendohet ta gjejë Shkollën e Restaurimit qendër e kategorisë së dytë të UNESCO-s në Rajon. UNESCO ka mbështetur ngritjen e disa qendrave të trashëgimisë në Rajon, por në mënyrë specifike Shqipëria do të mbulonte nevojat për një Qendër të Restaurimit dhe Konservimit të Monumenteve.
Të paktën këtë prioritet shprehu dje në prani të Ministrit të Kulturës Bumçi, edhe drejtoresha e Zyrës së UNESCO-së në Venecia, Yolande Valle-Neff.