E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkozeti, zonë industriale brenda 2010-s



Ish-zona e dikurshme industriale e Shkozetit nuk është më e tillë, por paraqet një rajon me zhvillim kaotik ku është e vështirë të ndash subjektet që merren me biznes me blloqet e banimit. Përveç objekteve të vjetra të ndërtuara përpara vitit 1990, tashmë atje është ngritur një zonë e tërë banimi me ndërtesa pa leje të cilat janë në proces aplikimi për legalizim. Por zona vazhdon të zhvillohet në mënyrë kaotike, pasi nuk ka plan studimi urban për ecurinë e saj.

Shkozeti

Zona e Shkozetit shtrihet në një territor prej 800 ha, dikur ajo ka qenë një ndër zonat më të mëdha industriale në shkallë vendi në të cilën ushtronin aktivitetin 20 fabrika e uzina dhe me dhjetëra ofiçina e magazina gjigande. Pas vitit ’90 pothuajse të gjitha u mbyllën dhe e pushuan aktivitetin.

Që nga ajo kohë e në vazhdim, nga ana e banorëve të zonave të largëta të vendit, Shkozeti nisi të shihej si një vend shumë i përshtatshëm për transferim. Dalëngadalë, në territoret e lira nisën të ndërtohen banesa të cilat sot kanë arritur numrin 3880.

Po kështu të gjitha objektet e lira industriale u transformuan në shtëpi banimi. Në këto kushte edhe vetë qeveria e ka pranuar në heshtje se kjo zonë dikur industriale nuk është më e tillë. Në këto kushte qeveria shpalli park industrial zonën e Spitallës dhe të Porto Romanos.

Mënyra e zhvillimit

Aktualisht, Shkozeti vazhdon të zhvillohet në mënyrë krejt kaotike pasi nuk ka një plan studimi urban. Përveç banesave të ngritura përpara ’90 dhe atyre pa leje pas këtij viti, të tjera vazhdojnë të ndërtohen. Veç tyre në këtë rajon ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe një numër jo i pakët subjektesh private. Ndërkohë ka 15 vjet që ish-fabrika e gomës e cila shtrihet një territor prej 10 ha vazhdon të paraqesë një gërmadhë e cila jo vetëm që ndot mjedisin por përbën një rrezik për fëmijët që shkojnë të luajnë në mjediset e saj.

Askush nuk është në gjendje të japë sqarime se përse i gjithë ky territor nuk privatizohet ose të përdoret nga shteti për investime publike. Të gjitha këto probleme do të merrnin zgjidhje nëse për Shkozetin do të kishte një studim urban i cili të kishte edhe miratimin e KRRTRSH-së, pasi mjaft prej ish-objekteve industriale janë pronë e qeverisë.

Durrës, dëmtohen monumentet dhe bustet

Prej dy ditësh durrsakët janë gdhirë me sytë e shqyer nga një tablo aspak e zakontë e qytetare, tek kanë parë monumente, buste, stola e pemët e mbjella dekorative të dëmtuara keqas. Persona të paidentifikuar kanë dëmtuar bustet e disa prej figurave të Durrësit, të cilat janë vendosur në mjedise publike. Dëmtimi konsiston në shkuljen nga piedestali të shkronjave prej bronzi të cilat dëftejnë emrin e personalitetit, moshën e tij si dhe tregues të tjerë. Shkulja dhe marrja e këtyre elementëve prej bronzi është kryer për qëllime përfitimi, pasi bronzi shitet në tregun e skrapit me ngjyrë. Skulptorët e Durrësit kanë vendosur që në vend të germave prej bronzi të përdorin gdhendjet në mermer në mënyrë që ky fenomen të mos përsëritet. Ndërkohë, të tjerë persona kanë tentuar të grabisin pllakat prej graniti mbi të cilat janë vendosur stolat në lulishten e cila ndodhet në krah të bashkisë. Për të mbërritur deri te graniti ata kanë shkatërruar këmbët e stolave, por për shkak të peshës nuk kanë mundur t’i grabisin pllakat prej graniti. Ndërsa në rrugën që të çon te Banka Kombëtare, sot Banka Tregtare, e cila ndodhet pranë portit detar, janë dëmtuar disa pemë dekorative. Atyre u janë shkulur degët kryesore gjë që i ka detyruar lulishtarët që t’i krasisin ato dhe t’i kthejnë në lartësinë që kishin në kohën e mbjelljes së tyre, 2 vjet të shkuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›