E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, shtohen me 20% numri i të prekurve, edhe 4 të vdekur



Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë publike të dhënat e fundit për virusin H1N1, sipas të cilave numri i të prekurve nga virusi nëpër botë është rritur me 20% gjatë 24 orëve të fundit. Organizata tha se 29 vende kanë njoftuar deri më sot 4379 raste të sëmundjes që njihet tanimë si gripi i derrave.

Situata

Gjatë ditës së djeshme, Kosta Rika njoftoi vdekjen e parë nga sëmundja duke u bërë kështu vendi i parë i Amerikës Qendrore ku një person humb jetën. Ndërkohë dje Meksika njoftoi tri vdekje të tjera. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë të shëndetësisë thanë se një person humbi jetën në shtetin e Uashingtonit duke shënuar rastin e tretë vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, që edhe Kanadaja ka raportuar rastin e parë të vdekjes.

Gjatë ditës së djeshme Shtetet e Bashkuara kanë marrë “kryesimin” e sëmundjes me 2254 të prekur zyrtarisht, ndërkohë që në Meksikë, numri I të prekurve ka arritur në 1626. Kanadaja ka 280 të prekur, ndërkohë që ndër vendet me të vdekur nga gripi i derrave, Kosta Rika, ka vetëm 8 të prekur.

Përveç këtyre shteteve, disa të tjera kanë persona të prekur, por asnjë të vdekur. Ato janë Argjentina (1), Australia (1), Austria (1), Brazili (6), Kina, Hong Kong (1), Kolumbia (1), Danimarka (1), El Salvador (2), Franca (12), Gjermania (11), Guatemala (1), Irlanda (1), Izraeli (7), Italia (9), Japonia (4), Holanda (3), Zelanda e Re (7), Panamaja (3), Polonia (1), Portugalia (1), Koreja (3), Spanja (93), Suedia (1), Zvicra (1) dhe Mbretëria e Bashkuar (39).

Këshillat

Gjithsesi, OBSH-ja vijon të këmbëngulë se situata nuk duhet të prodhojë alarme të kota, por duhet të paralajmërojë qytetarët për të marrë masa parandaluese. OBSH-ja këshillon shtetet që të mos vendosin pengesa në udhëtimet e rregullta e as të ndalojnë kalimin në kufij. Nga ana tjetër, sipas OBSH-së, është “e këshillueshme për personat që janë të sëmurë, të shtyjnë udhëtimet ndërkombëtare dhe personat që kanë simptomat, pas një udhëtimi jashtë shteti, të kërkojnë kujdes mjekësor, nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të autoriteteve shtetërore”.

Sakaq, OBSH-ja udhëzon qytetarët që të mos ndalojnë përdorimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit të derrit, pasi ato nuk shkaktojnë infektimin, nëse janë të gatuara mirë. “Individët janë të këshilluar të lajnë duart me sapun dhe ujë në periodicitet të rregullt dhe duhet të kërkojnë kujdes mjekësor, nëse u shfaqet çfarëdolloj simptome e gripit”, - duke përfshirë këtu edhe gripin e zakonshëm, sipas OBSH-së.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›