E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyjni, pranë fëmijëve



Mund të duket e thjeshtë, por e vërteta qëndron disi ndryshe. Të shkruash për fëmijë, të jesh pranë tyre, të biesh në nivelin e botës naive fëminore, ke arritur të jesh pak hyjni. Ky është edhe sekreti i një shkrimtari për fëmijë, pena e të cilit jeton mbi fantazinë e shfrenuar dhe të përbashkët. E po kështu do të vijojë... Ndërkohë, në një intervistë me shkrimtarin e njohur për fëmijë, Viron Kona, do të zbulojmë pak më tepër për të fshehtat e pasionit hyjnor.

Një personalitet i njohur në letërsinë kombëtare për fëmijë. Diçka rreth personalitetit tuaj?

-Ju falënderoj për vlerësimin. Të flasësh për veten është gjëja më e vështirë për një krijues, sepse personaliteti, shfaqet në veprat që shkruan. Kam mbaruar UT në Gjuhë-Letërsi, kam shkruar rreth 25 libra, për të rritur dhe për fëmijë, midis tyre romane, vëllime me tregime, novela… Kam kryer punë të ndryshme si, mësues, drejtor shkollash 9-vjeçare dhe të mesme të kryeqytetit, tashmë redaktor në gazetën “Mësuesi”. Jam anëtar i Këshillit Kombëtar të Librit, fitues i shumë çmimeve vlerësuese të krijimtarisë sime, por vlerësimin më të madh e ndjej kur ndodhem në takime me lexuesit e mi të vegjël, kur i dëgjoj të thonë se i duan dhe i pëlqejnë librat e mi. Ngazëllehem kur shoh që edhe i deklamojnë apo edhe kur luajnë në formë teatrale, sidomos, pjesët humoristike të librave.

Ku qëndron sekreti i një shkrimtari për fëmijë?

-Një pyetje kjo, që ka shumë përgjigje. Por unë do të thosha se ky sekret, në radhë të parë qëndron në të shprehurit me sinqeritet dhe me një gjuhë të thjeshtë, pa zbukurime dhe artifica. Sigurisht të shkruash për fëmijë, duhet edhe të mendosh si ata, të njohësh botën e tyre të ëmbël dhe të pafajshme, pra “të jesh” edhe pak vetë fëmijë. Fëmijët kanë nevojë për gjëra sa më interesante, të panjohura, të padëgjuara dhe shumë të bukura, përndryshe, ata e hedhin librin në ndonjë qoshe dhe vrapojnë të luajnë me shokët apo shoqet. Ata i kërkojnë gjërat ndryshe, sidomos ato që nxitin imagjinatën dhe fantazinë. Pra, shkrimtari duhet të zhytet në botën e tyre, ta zbulojë dhe ta shprehë sa më qartë, besueshëm dhe me gjuhën e artit. Them gjithashtu se dukuria e ajsbergut, i cili pjesën më të madhe e fsheh nën ujë, vepron edhe tek njeriu. Të tregosh dhe të vëzhgosh pjesën e padukshme të ajsbergut, atë që nuk njihet, qoftë edhe tek vetja, qoftë në shoqëri, në marrëdhëniet mes njerëzve dhe në mjedisin që të rrethon, kjo më duket se përbën një hap të sigurt drejt suksesit edhe në krijimtarinë artistike. Pra të japësh anën e panjohur, që zgjon në mendjen e njeriut kureshtje e fantazi, kjo është shumë e rëndësishme, por, ama, ta japësh bukur, sepse, ndryshe, lodhesh kot. Në këtë këndvështrim të realitetit, shkrimtari i ngjan shkencëtarit, zbuluesit, i cili pasi është lodhur për ta zbuluar diçka, ka ndjerë gëzimin e suksesit dhe të mundit të tij, pastaj, është ambientuar, por, kënaqësia dhe këmbëngulja e kanë nxitur për zbulime të reja. Kur ngjitesh majë një mali të lartë e të vështirë, ndjen kënaqësinë e ngjitjes, por, ama, përpara shikon se ke edhe një mal tjetër dhe t`i duhet të vazhdosh përsëri ngjitjen. Kur Hëna nuk ishte shkelur nga njeriu, njerëzit ishin shumë kureshtarë se çfarë kishte atje. Por, tashmë që në Hënë kanë shkuar rreth 20 astronaut dhe është mësuar se atje nuk ka jetë dhe asgjë të jashtëzakonshme, atëherë, kjo nuk përbën më ndonjë kuriozitet të madh. Nuk e mendonin njerëzit para 100 vjetësh, se mund të flisnin me njëri-tjetrin në celular, madje edhe të shiheshin me njëri-tjetrin kur bashkëbisedonin njëri në Amerikë e tjetri në Shqipëri. Kurse tashmë, një bari nga malet e Gramozit, e konsideron të natyrshme bashkëbisedën me birin e tij në Toronto të Kanadasë. Pra, tashmë që kjo është realizuar, njerëzit e kanë shuar kureshtjen dhe dëshirojnë gjëra të tjera interesante. Kështu ndodhi edhe me shpikjen e avionit, me nëndetësen, kështu do të ndodhë edhe me vajtjen dhe zbulimin e enigmave të Marsit etj. Veç kësaj, duke u shkruar për fëmijët, sipas meje, nuk duhet t’ua thuash gjithçka në tregimin apo romanin artistik, sepse ata vetë do ta plotësojnë atë me imagjinatën e fantazinë e tyre. Kur Bubulinoja tha se do të ishte i pari njeri që do të shkonte në planetin Mars, fëmijët e pyetën: “Bubulino, po të takosh atje marsianë, çfarë do t`u thuash?” Fëmijët, ashtu si edhe të rriturit, nuk i duan gjërat të gatshme. Ata kërkojnë nga libri më të bukurën dhe më të veçantën, por kërkojnë që edhe të ngacmohet fantazia dhe imagjinata e tyre. Nuk thonë kot se libri i vërtetë fillon kur e ke mbaruar së lexuari.

Pse e pëlqejnë fëmijët personazhin e Bubulinos?

-Ata e pëlqejnë Bubulinon, sepse ai, duke shprehur dëshirën që të jetë i pari njeri që do të shkelë në planetin Mars, ka zgjuar kureshtjen dhe imagjinatën e tyre... Ai u zgjon fëmijëve ëndrra të reja kur u thotë se janë ata që do ta shpëtojnë planetin nga ngrohja globale, janë ata që do të zbulojnë Atlantidën e humbur (të fundosur) 12 mijë vjet më parë, janë ata që synojnë shpëtimin e planetit nga ngrohja globale, zbulimin e misterit të Trekëndëshit të Bermudës apo që do të arrijnë që anijet “e tyre” kozmike të fluturojnë drejtë galaktikave me shpejtësinë e dritës…. Dhe, tek Bubulinoja ata shikojnë veten e tyre, sepse Bubulinoja, në të gjithë librat që kam shkruar, shfaqet si çdokush nga lexuesit e vegjël, me botën fëminore, sjelljet, lojërat dhe humorin e tyre. Fëmijët, gjithashtu pëlqejnë edhe Shkencëtarin Këmbëgjatë, sepse ai është i profilizuar si një karakter ndryshe. Për shembull, ai e heq veten si shkencëtar i madh, por nuk di asgjë për shkencën dhe, gjithçka që thotë, e lexon në librin e tij që e mban kurdoherë me vete. Kjo është qesharake për fëmijët, sepse u kujton ndonjë shokun e tyre që kopjon nga shoku i bankës dhe ngre dorën i pari që t`ia thotë mësueses zgjidhjen e problemit apo ushtrimit. Ose, Këmbëgjati hiqet si trim i rrallë, që gjoja ia kalon për nga fuqia Herkulit, por, kur vjen çasti, ai trembet edhe nga një lepur që vrapon pas një gëmushe.

Si e gjykoni letërsinë për fëmijë sot? Në ç`raport është ajo me kohën?

-Jeta sot është shumë e ngarkuar për këdo dhe, ngaqë ka shumë botime, është vështirë të veçosh letërsinë më të mirë për fëmijë. Mbase, një studiues apo kritikë letrar, mund t`i japë një përgjigje më të plotë kësaj pyetjeje, por gjithsesi, një përgjigje të saktë e japin vetë lexuesit e vegjël përmes anketimeve dhe bashkëbisedave me ta. Gjithashtu, letërsia e bukur zë vend natyrshëm dhe ruhet në kujtesën e fëmijëve, por edhe kultivohet dhe zhvillohet në trurin e tyre, ashtu sikurse fara e hedhur në tokë që mbin me vonesë. Të gjithë kanë pasur idhujt e tyre në krijimtari, kemi përrallat dhe tregimet e gjyshërve, që kanë hedhur rrënjë në kujtesën tonë, tregimet e Zhyl Vernit, të Suiftit, të Servantesit, të Petro Markos... Madje, në këtë kontekst është domethënëse shprehja e Eskilit, “babait të tragjedisë greke” se veprat e tij dhe të kolegëve të tij “s`janë veçse thërrime nga gostia e Homerit të madh...”

Intervistoi Bujar FERHATI

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›