Shkrim e ndëshkim
Thuajse dy javë më parë, meqë tetorit i kishin mbetur ende edhe ca ditë për tu cilësuar për disa si muaji i letërsisë dhe i arteve e për disa të tjerë muaji i lindjes së shkrimtarëve tanë më të shquar, mes të cilëve Naimi, Fishta, Migjeni, Dritëro Agolli etj., etj., (ndjesë poetit Pano Taçi, lindur po më 13 tetor, në të njëjtën ditë me Migjenin dhe Dritëro Agollin, për të cilin pakkush u kujtua, qoftë edhe për një kafe, megjithëse e meriton plotësisht nderimin njerëzor dhe atë poetik), dy javë para fundit të tetorit pra, edhe mua më mbërriti ftesa për të biseduar rreth letërsisë me nxënësit e një gjimnazi të Tiranës, që nuk është dhe aq larg prej apartamentit ku banoj dhe ku mësojnë gjithashtu edhe fëmijët e mi.
Bisedat rreth letërsisë, sidomos me të rinj të prejardhur nga kultura e mosleximit dhe e shpërfilljes ndaj çdo gjëje të shkruar që nuk është SMS, status FB apo internet, janë të rrezikshme, nëse do ta mbrosh sado pak veten prej puritanizmit dhe pozës prej moralisti. Me sa duket ia ka behur stina ti shijojmë frytet e hidhur të pohimit se brezi i rritur përballë kompjuterit, dikur do e shfaqë haptas dhe si të natyrshëm qëllimin për të mbërritur gjer tek televizori, por jo më larg se kaq. Koncepti i së bukurës, për shumicën e këtij brezi nuk ka më lidhje me artin, por me format e teknologjisë së lartë të komunikimit. Dhe gjithë sa ishte dilemë për Dostojevskin: nëse mundet apo jo e bukura ta shpëtojë botën, nuk është pjesë e mëdyshjeve të kësaj kohe.
Duke mbajtur parasysh këto, duke e besuar edhe vetë se sloganet leximi duhet, duhet lexuar, letërsia të mëson, letërsia të ndihmon, bëjnë pikërisht efektin e kundërt, thura me mend vetëm një pyetje paksa të gjatë për të hapur bisedën me gjimnazistët: A është ende shkrimtari, si qenie mes qenieve të tjera sociale, i denjë për vëmendje dhe nderim për atë që bën e sidomos për mënyrën se si e arrin? Dhe si mund të vizatohej, me pak fjalë, shkrimtari në përfytyrimin e breznisë rishtare në leximtari?
Ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen në përgjigjet e tyre nuk ishte fakti se në renditjen e 18-vjeçarëve të sotëm vëmendja ndaj shkrimtarit si qenie krijuese ndodhej thuajse në gjendjen e krijesave të rrezikuara, të cilat, për të mos u zhdukur, duheshin marrë nën mbrojtje. Ato që më bënë përshtypje ishin dy përcaktime.
I pari u formulua pikërisht kështu: Sot të gjithë mund të jenë shkrimtarë! Të gjithë mund të shkruajnë! Të gjithë mund të botojnë!
Përcaktimi i dytë lidhet me faktin se përfytyrimet e tyre mbi shkrimtarin shoqëroheshin përherë me togfjalëshin shkrimtar i vërtetë. Këto përcaktime, që tashmë përbëjnë njëherazi arketipin dhe mitin e shkrimtarit të mirë e të vërtetë, shoqëroheshin edhe me disa cilësi.
Mes tyre spikasin: një shkrimtar i mirë dhe i vërtetë është një njeri, por jo si gjithë të tjerët, që del në televizor, që bën jetë të organizuar në shoqata dhe klube letrare, që ulet dhe shkruan çdo ditë dhe pa përtuar, që merr pjesë në përurime publike dhe forume mediatike, që është i ditur dhe i enciklopeditur (shpesh me syze, me studio, rrethuar me libra kur shfaqet në publik, me bllok shënimesh e me stilolaps), që është i guximshëm përballë së vërtetës (të cilën e shpall me zë të lartë, duke ndërprerë të tjerët dhe me gishtin tregues përherë të ngritur lart), që rrëfen gjithmonë diçka interesante nga jeta e tij e mbushur plot aventura dhe përvoja jetësore, që ka qenë nxënës arrakat, por lexues i mirë librash, që ka mirënjohje për gjyshet, që e ndihmuan të bëhet shkrimtar i mirë dhe i vërtetë; që i bën përurimet tek Rogner apo Sheraton, në prani të dhjetëra kamerave (që për nga shumëfishimi i imazhit turpërojnë mrekullitë e shumëfishimit të Jezu Krishtit) dhe që publicitetin e librit e kryejnë tek Zonë e lirë etj. Kjo ishte pak a shumë skeda e tyre për një shkrimtar të vërtetë.
Ndonëse iu referuan shkrimtarit të vërtetë, druaj se edhe ata janë gjendur para të njëjtit keqkuptim që u ndodh shumë njerëzve, kur duan të përkufizojnë shkrimtarin e suksesshëm, shkrimtarin e përkushtuar, në kuptimin profesional të fjalës dhe të dedikimit ndaj artit të të shkruarit, vendosur këto përballë të tjerëve, që shkrimin e një libri e kanë veprimtari ndihmëse, shërbyese, në funksion të qëllimeve të të ndjerit i pranishëm, faktor dhe i kuotuar në bursën e emrave të atyre që shkruajnë libra. Në kinematografi ky zanat quhet zanat i kaskadorit, ose i dublantëve, që marrin përsipër të kryejnë punë të rrezikshme, të realizojnë skena të dubluara të shpejtësive ekstreme, hedhjeve apo rënieve të rrezikshme, të cilat aktorët e vërtetë nuk i kryejnë. Në letërsi ky zanat është ende i paemërtuar.
Me këtë nuk kam ndërmend tia pres hovin askujt që ka dëshirë të shprehet me shkrim. Përkundrazi. Padyshim që tek dëshira për të shkruar – dëshirë kjo që zakonisht përfundon me aktin e botimit të një libri, nuk gjendet ndonjë gjë e madhe për tu qortuar. Për sa kohë që produkti shkrimor shfaqet me një emër autorial, nuk na mbetet tjetër veçse të bashkohemi a të veçohemi rreth pëlqimeve apo mospëlqimeve tona, lidhur me përkatësitë etike, politike apo estetike. Të tjerave u del për zot autori.
Ajo për të cilën e kam fjalën këtu e në vijim lidhet me fenomenin asht e xanun!, sjellë në fokus, falë vullneteve të mbarë dhe mediatizimit kryesisht.
Pikërisht prej këtu zë fill dëshira për tiu qasur kësaj veprimtarie, e cila në fakt ka kohë që ka nisur, por që kurrë më parë nuk e ka shfaqur me aq ngulm prirjen për tu shndërruar në një fenomenin i qenësishëm, të cilin mund ta quajmë edhe imponim ndaj shoqërisë shqiptare përmes versionit libër dhe të qenit shkrimtar.
Thirrja kushtrimore: asht e xanun – zaptuese në thelbin e vet – nuk është aspak e panjohur, e importuar apo e çuditshme për mendësinë tonë. E kishim ndeshur prej vitesh, në formën e pushtimit të trojeve reale, të sundimit apo mbrojtjes me forcë të ngastrave dhe arave, shfaqur thuajse si një luftë ndërqytetëse të të paligjshmëve ndaj të ligjshmëve.
Në sferën praktike dhe pragmatike të veprimit, dukuria asht e xanun, ndonëse e paligjshme, shfaqet gati e përligjur. Kjo, ngaqë hapësirat jetike (ndjesë për reminishencat që do tju kujtojë togfjalëshi) janë të kufizuara në hapësirë dhe në tituj pronësie.
Por në letërsi, ku hapësirat apo trajtesat tematike nuk janë të kufizuara, dhe ku cilësimet shkrimtar i ligjshëm dhe i paligjshëm nuk ekzistojnë, dukuria asht e xanun bëhet një absurd më shumë brenda absurdit tonë.
Synimi i saj mbetet fëminor, ndërsa përfundimi, një dukuri kalimtare, mëkuar nga provincializmi dhe forma e ligjërimit që shoqëria jonë ka zgjedhur për tu shfajësuar nga monokultura, monotonia dhe monologu.
Në vetvete ky përqendrim i energjisë në zaptimin e hapësirave në dëm të çdo forme tjetër vëmendjeje ndaj librit, është një shpërdorim, një prishje e rrugës së natyrshme që bën libri për të takuar lexuesin dhe më e rënda, nxit fabrikimin e pandehmës se për të qenë një shkrimtar i mirë, i vërtetë dhe i suksesshëm, duhet të jesh patjetër ose një shkrimtar politik ose i mbështetur e i subvencionuar nga politika, nga prania e politikanëve, nga prania e mediave që ushqejnë politikën dhe nga shkrimtarët me njërën këmbë në politikë e tjetrën në shkrimtari. Sidomos ta përputhësh imazhin me 10 cilësitë e renditura më lart, kur përmendëm përfytyrimin e gjimnazistëve për shkrimtarin e vërtetë.
Ajo që po ndodh gjatë muajve të fundit, e që mund të ketë si epilog gjithë sa po shfaqet gjatë panairit të përvitshëm të librit, të çon drejt përfytyrimit se letërsia shqipe nuk ka asgjë tjetër për të ofruar veç formave letrare të sipërcituara. Prej vetë botuesve, në ujdi me autorët e m
