E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari Dritero Agolli sot, 80 vjeç

TIRANE-Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizojnë në sallën "Aleks Buda" një takim jubilar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe akademikut, Dritëro Agolli. Në këtë veprimtari do të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore të shtetit dhe të kulturës shqiptare. Ishte data 13 tetor 1931. Familja Agolli në Menkulas të Devollit, u shtua me djalë. Emrin ia vunë Dritëro… Vite ma pas, djaloshi nga Devolli do të bënte emër të madh me penën e tij si shkrimtar, e do të "dritëronte" në letrat shqipe. Vitin e kaluar Dritëro Agolli e festoi 79-vjetorin në shtëpinë e tij, madje festa ndjehej që një ditë më parë me fëmijët dhe nipat e mbesat. Me siguri edhe këtë vit për ditëlindje, familja e shkrimtarit do të presë e përcjellë të tjerë, do marrë urime për jetë të gjatë, për libra të rinj dhe dhurata pa fund, e padyshim plot buqeta me lule të freskëta! Në një intervistë që ai i dha vjet "Gazetës Shqiptare" tha se "pleqtë dhe fëmijët e festojnë çdo vit ditëlindjen, fëmijët, sepse po rriten, ndërsa pleqtë se s'i dihet kur ikin, mund të vdesin dhe të afërmve iu mbetet peng që nuk ia festuan". Më tej në një bisedë të gjatë, ai ndante me lexuesit pengjet, momentet më të bukura, ëndrrat dhe kujtimet.
Pengjet
Në intervistën e vjetshme për "Gazetën Shqiptare", Agolli fliste edhe për pengjet. "Pengje kam shumë, sa të duash. Më ka mbetur peng se si nuk u munduam, si nuk u përpoqëm më shumë që të mos kishte varfëri, të bënim më shumë presion tek të gjithë drejtuesit politikë për këtë. Do doja që shkrimtari të ishte më i lidhur me shoqërinë, me politikën, për transformim të mirë". Sipas tij, shkrimtari që nuk merret me shoqërinë dhe me politikën, nuk është shkrimtar, por është njeri i zakonshëm. "Kjo nuk do të thotë që të politizohet arti, përkundrazi. Shkrimtari duhet të kujdeset për shoqërinë, por edhe për mbrojtjen e natyrës, gruas, të drejtave të njeriut e jo vetëm kaq", - theksonte ai. Ideja e tij ishte që "shkrimtari duhet të merret me problemet, të preokupohet e të mos jetë një njeri indiferent ndaj asaj që ndodh, sikur të ishte një njeri i zakonshëm. As kafshët nuk janë indiferente."
(d.b/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Shkrimtari Dritero Agolli sot, 80 vjeç

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›