E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shkrimtari” që bën kurban vetveten

08-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Edi Rama ka provuar shumë zanate në jetën e tij, pa mundur të tregojë ndonjë prirje, sado të vogël, për secilën prej tyre. Tani po fillon sërishmi të bëhet shkrimtar. E themi këtë se e ka për herë të dytë këtë provë. Herën e parë, mos të themi atë që është përsëritur sesi përfundoi libri i tij. Ai u kujtua me vonesë se kishte lajthitur. Gjersa ai libri, që të mos ia themi as titullin, u bë për ndjesë!
Këto dështime vijnë nga njëra prej ceneve të tij të shumta: mungesa e vetëkontrollit.
Me këtë librin e dytë (dhe të fundit, besoj), punët nuk po i ecin mbarë, siç shpreson ai, kurdoherë me hamendësitë se bën mrekullira. Është shprehur se ka hequr dorë nga prapësitë e së kaluarës, nga bunkerizimi i parlamentit për dy vite rresht, nga djegia e gomave nëpër rrugë, nga fjalët e pakontrolluara se do ta rrëzojnë qeverisjen për dy ditë, (përderisa nuk i ka përgënjeshtruar), si edhe nga një dukuri e re, që nuk ka bërë vaki në vendet perëndimore: korrupsioni i mitingashëve, me bordero! Dhe të nënshtruarit e tij, jo vetëm që nuk vihen në siklet nga  filmimet e kamerave amatore, por edhe zgjidhet në instancat e larta të PS-së, duke kaluar nga sindikalisti korruptues, në titullar në instancat e epërme të partisë. Këtë ai e zotëron jo me arsyetimin e shëndoshë, por me arrogancën gjer në përdorim fizik të brutalitetit ndaj femrave!
Tani ka hequr dorë nga  një veprimtari e cila u kritikua nga një numër tepër i madh prej anëtarësh elitarë të partisë që e quan “të tijën”, përveç një numri tepër të kufizuar të militantëve që e kishin si “hobe” të ulërinin bulevardeve. Këta rrëmujaxhinj e kishin si trashëgim nga vajtjet me dëshirë në mitingjet e Enverit, kur populli shkonte “i rreshtuar” për të dëgjuar mllefet kundër imperialistëve, me në krye atë amerikan,  duke sulmuar edhe revizionistët majtistë, që s’mendonin si ai! Ka hequr dorë drejtuesi i PS-së, - thamë; por i detyruar, apo “i kushtëzuar”, - siç ka dëshirë të shprehet.
Në “Kurbanin” e tij do të bënte mirë të trajtonte edhe provokimet e mësymjeve në bulevard, para kryeministrisë, me pasojë katër të vrarë. Të shpjegonte kuptimin e asaj fjalisë gjëmëmadhe se “mitingu do të dilte jashtë kontrollit” (20 janar). A thua se këto gjurulldi të dhunshme i bënin të tjerët, - që nuk pipëtinin para tij, - dhe nuk i bënte ai vetë! Qenkëshin spontane, që ai të mos mbante përgjegjësi për pasojat? Dhe tani kërkon që të mbyllen, me çelësin e tij magjik të memuaristikës së tij të shpërfytyruar, se e kaluara nuk duhet përmendur më. Të shkuara, të harruara!
Por Ben Blushi tha një gjë të rëndë kur u pyet për 21 janarin. Tha se të vrarët mund të shmangeshin!  Ishte fjala bash për Edvinin! Ky muhabet u mbyll shpejt. Por mund të dilnin pyetje plotësuese: Përse nuk dha një sinjal në celular, kur u synua dhe u arrit gjer te thyerja e derës së hekurt të kangjellave? Si shpjegohet që të plagosurit më të shumtë ishin nga rojat dhe nga Garda, sesa nga ata që, si të xhindosur, godisnin në mënyrë të shpenguar dhe nuk bënë, fillimisht, asnjë kundërveprim? Mos ishte një “atout” apo shpresë ose shans për ta pasur si kartën më të fortë të kumarit,- siç e shpjegojnë fjalorët? Nuk është privilegj i vogël ai që, në vigjilje zgjedhjesh, të kesh  shansin të quash kandidatin,  vrasës, kur ai që është vënë në top listën e intelektualit të sinqertë, paçka se kërkon një kurban prej 13.000 njerëzish që ta marrë pushtetin për dy ditë!
Prandaj ka marrë atë titull libri i Ramës? Pasi e lavdëron atë dhe disa klerikë të nderuar që nuk jetojnë më, na flet me fjalorin më poshtërues, më të dhunshëm, më përbuzës, që mund të gjendet në ata që quhen “armiq”. E. Rama nuk ka kundërshtarë; ai ka vetëm armiq ose  të ekzaltuar prej tij, sipas atyre që shfaqen për pushtetin e tij të pakufizuar, apo kanë vërejtje për vetadhurimin e tij pushtetar!
Në shumë pasazhe të “Kurbanit” të tij gjejmë fjalë kundër intelektualëve “armiq” si mbeturina urbane që të ngrenë zorrët në fyt, karagjozë me pagesë, që turpin e hanë me bukë, që fërkojnë plëndësin e nginjur, konformist turkoshakë të zgjyrosur, spiunë, denonciatorë, oborresh…
31 intelektualë që shkëlqejnë në profesionet e tyre, vetëm se ishin pjesëmarrës në “Iniciativën e Tiranës” ku qe ftuar edhe Rama (paçka se s’erdhi), u ngarkuan në sedrën e tyre me ato fjalë që pamë pak më sipër. Pesë prej tyre që u morën në intervistë, e ruajtën gjakftohtësinë e tyre përkundrejt atij rrëmeti të hirit e të zjarrit vullkanik, duke thënë vetëm se nuk e kanë lexuar librin “Kurbani” dhe as që kanë ndër mend që ta lexojnë, nga ç’kanë dëgjuar për të.
A mund të na thotë autori i këtij libri sesi është sjellë me këngëtarët e artistët në përgjithësi kur ishte ministër i Kulturës? Në një të përditshme u rreshtuan një numër i jashtëzakonshëm këngëtarësh, piktorësh, skulptorësh  e valltarësh, që vunë emrat e tyre në një peticion greve. Që të gjithë. Titullari i kulturës ishte bërë i padurueshëm. Greva u shpartallua në mënyrë brutale.
Le të përmendë titullari i kulturës se cili ishte me atë, në atë kohë. Le ta paraqesë me mburrje edhe në “Kurbanin” e tij. Apo… të shkuara e të harruara?
Vetëm një gjë është e qartë: se nga të gjitha zejet e tij, ajo e shkrimtarit është më e pashpresa!
Por, me këto të dhëna, tahmaja e madhe e zeza e të zot, - siç thonë në disa vise tonat. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›