E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkruajnë historinë me Helsinkin

Berat Sadik, Erfan Zeneli e Kastriot Kastrati me skuadrën e Helsinkit kanë hyrë në histori të Ligës së Kampionëve, pasi kanë shënuar fitoren me të thellë në këtë garë ndaj Bangor Cityt, 10:0. Kjo ndeshje ishte e veçantë për Zenelin e Kastratin, që realizuan golat e parë në këtë eveniment. Nga Moral Pozhegu më 21 korrik 2011 në ora 11:59

Futbollistët shqiptarë të HJK Helsinkit, Berat Sadik, Erfan Zeneli e Kastriot Kastrati me golat e realizuara ndaj Bangor Cityt (10:0) kanë ndihmuar skuadrën e tyre të hyjë në histori të Ligës së Kampionëve.

Ekipi finlandez me fitoren e së mërkurës ndaj ekipit uellsian, Bangor Cityt me rezultat 10:0, ka hyrë në histori të ligës me prestigjioze evropiane duke shënuar fitoren më të thellë në këtë garë.

Rekordin për fitore më të thellë në Ligën e Kampionëve deri më tani e mbante ekipi anglez Liverpool, i cili në vitin 2007 kishte mposhtur ekipin turk Besiktas me rezultat 8:0.

Meritat më të mëdha për këtë padyshim se i kanë futbollistët shqiptarë, të cilët realizuan plot pesë gola në fitoren e thellë të Helsinkit. Erfan Zeneli e Kastriot Kastrati realizuan nga dy gola, derisa Berat Sadik shënoi një herë.

Përveç që kanë thyer rekordin, kjo ndeshje ishte e veçantë për Erfan Zenelin. 22 vjeçari, i cili këtë sezon po shkëlqen në kampionati finlandez dhe në garat evropiane, ka realizuar golat e para në karrierë në Ligën e Kampionëve.

“Jam shumë i lumtur për këtë fitore pasi kemi thyer rekordin në Ligën e Kampionëve. Ndihem shumë mirë pasi realizova golat e parë në këtë garë. Kundër Bangor Cityt ishte ndeshje interesante pasi edhe në stadium pati shumë shikues”, ka thënë Zeneli për Express.

Në rrethin e tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve, ekipi finlandez do të përballet me gjigantin kroat Dinamo Zagreb, ku luajnë dyshja nga Kosova; Fatos Beqiraj dhe Arian Ademi.

“Ndeshjen e parë me Dinamon do ta luajmë në shtëpi. Kemi gjasa ta kalojmë edhe këtë rreth nëse në takimin si vendas nxjerrim një rezultat pozitiv, të realizojmë një ose dy gola dhe mos të pësojmë asnjë”, ka theksuar Zeneli.

Skuadra e Helsinkit është në rrugë të mirë që ta mbrojë edhe titullin e kampionit në Finlandë. Pas 15’të xhirove të kaluara në Veikkausliiga, Helsinki i prin tabelës me 42 pikë të tubuara, dhjetë më shumë sesa përcjellësi i parë Inter.

Debutim i ëndrrave për Kastratin

Ndeshje ndaj Bangor Cityt ishte shumë e veçantë për sulmuesin e ri kosovar Kastriot Kastratin. Përveç që luajti për herë të parë me skuadrën e Helsinkit, 18 vjeçari arriti t’i realizojë edhe dy gola në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve.

Reprezentuesi i përfaqësueses U19 të Finlandës është pjesë e ekipit të dytë të Helsinkit, Klub 04. Mirëpo, pas kësaj paraqitjeje, talenti kosovar pritet të debutojë edhe në elitën e futbollit finlandez.

“Kur e kuptova se do të futesha në lojë, mendimi im i parë ishte të luaj për ekipin. Ekipi vjen në radhë të parë dhe unë, si sulmues, mundohem ta ndihmoj ekipin duke shënuar gola. Fatmirësisht gjithçka shkoi perfekt. Ëndrra ime u bë realitet, çka mund të them tjetër? Kjo është Ligë e Kampionëve, është maksimumi”, ka thënë Kastrati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›