Kosova, me strategji për talentet

Derisa Shqipëria po bën ‘luftë’ me vende të ndryshme për talentet kosovarë, një gjë të tillë nuk po e bën edhe Kosova, e cila është ‘nënë’ e këtyre futbollistëve të rinj.
Alban Bunjaku (Arsenal), Adnan Januzaj (Manchester United) e Ylli Sallahi (Bayern Munchen) janë vetëm tre emrat e fundit që, sipas gjitha gjasave, do të heqin dorë nga Kombëtarja shqiptare, duke preferuar përfaqësuese të tjera.
Nëse jo tash, Kosova në të ardhmen do të hyjë në garë për këta talente, sepse tek e fundit, i takojnë asaj. Selektori Albert Bunjaku është i vetëdijshëm se për momentin nuk mund të bëjë asgjë.
“Kushtet ekonomike dhe politike nuk na lejojnë për momentin që të bëjmë atë që e duam. Por, do të mundohemi të mbajmë kontakte me të gjithë. Unë kam kontaktuar me shumicën e futbollistëve, por duhet të jemi realistë: lojtarët e rinj si Bunjaku, Januzaj, Sallahi apo të tjerë, për momentin nuk mund të luajnë për Kosovën”, theksoi Bunjaku për Express.
“Kushtet nuk na lejojnë që të zhvillojmë më shpesh ndeshje, por vetëm grumbullime. Por, në të ardhmen jam i sigurt se gjërat do të ndryshojnë dhe lojtarët kosovarë pa hezitim do t’i mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses kosovare. Për momentin, realiteti dhe mundësia nuk janë në favor të Kosovës”, shtoi ai.
Por, ish trajneri i Kalmarit e ka gati strategjinë për të ardhmen, për t’i ‘kapur’ këta talente i pari. “Ne kemi strategji për afrimin e lojtarëve kosovarë në përfaqësuese. Kemi kontakte të vazhdueshme me talente, por në të ardhmen planifikojmë t’i formojmë tri qendra, në Zvicër, Gjermani e Skandinavi, ku do të vëzhgohen më nga afër futbollistët e rinj kosovarë që luajnë në këto vende”, vazhdoi Bunjaku.
Sipas tij, çdo futbollist kosovar i ka dyert e hapura për të luajtur për Kosovën. Ai kërkon nga lojtarët kosovarë që luajnë jashtë vendit të mos jenë të imponuar nga askush.
“Dëshira për të luajtur për vendin tënd duhet ta mposhtë çdo gjë. Lojtarët duhet të jenë të motivuar dhe të ndihen të sigurt, para se të vendosin për të luajtur për Kosovën”, përfundoi Bunjaku.
Kosova gjithmonë është njohur si ‘fabrikë’ e talenteve. Por, një pjesë e mirë e tyre ka vendosur t’i përfaqësojë vendet tjera. Udhëheqësit e futbollit kosovar besojnë se në të ardhmen, talentet kosovarë do të luajnë për Kosovën.