S’e lejojnë të hyjë në Bosnje

Kushtrim Lushtaku nuk do të udhëtojë të enjten drejt Bosnje e Hercegovinë me ekipin e Orebro, për ta zhvilluar ndeshjen e rrethit të dytë të kualifikimeve për Europa League kundër Sarajevës.
Deri te kjo ka ardhur pasi Bosnja e ka refuzuar vizën e futbollistit kosovar. Edhe pse Kosova e ka shpallur pavarësinë tri vjet më parë, sportistët e këtij vendi vazhdojnë të përballen me problemin e vizave.
Bosnja është njëra prej vendeve që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që ky vend nuk do ta lejojë sulmuesin kosovar të udhëtojë drejt Sarajevës. 21 vjeçari është i frustruar me këtë vendim.
“Është një diskriminim, i cili nuk ka të bëjë asgjë me sportin. Jam mjaft i trishtuar dhe i zhgënjyer. Dëshiroja fort të shkoja me klubin dhe të luaja një ndeshje ndërkombëtare”, tha Lushtaku për mediat suedeze.
Orebro ishte e vetëdijshme se ishte e vështirë që Lushtaku të futej në shtetin e Bosnjës dhe sulmuesi kosovar tregon se klubi suedez e kishte dërguar pasaportën e tij në ambasadën boshnjake në Stokholm 15 ditë më parë. Tash, ai shpreson që UEFA është duke e analizuar këtë çështje.
“Nuk e kisha idenë se do të shkaktohej ndonjë problem. Shpresoj që UEFA është duke e shikuar këtë rast dhe që në të ardhmen mos t’i ndodhë kurrë asnjë futbollisti. Bëhet fjalë për një diskriminim”, vazhdoi ai.
Orebro do të udhëtojë drejt Bosnjës me rezultatin 0:0 të arritur në shtëpi javën që shkoi. Nëse e eliminon Sarajevën, në turnin e ardhshëm të Europa League do të përballej me gjigantin çek Sparta Praga. Lushtaku shpreson dhe beson se Orebro e tij do ta eliminojë Sarajevën nga kjo garë.
“Shpresoj shumë që skuadra ime ta fitojë këtë ndeshje. Kemi kualitet të mjaftueshëm për ta bërë këtë dhe për të luajtur në këto nivele”, përfundoi Lushtaku. Edhe udhëheqësit e Orebros shpresojnë që UEFA të ndërhyjë në këtë çështje. Pjesë e klubit suedez në këtë takim do të jetë kosovari tjetër Valdet Rama, por që ka pasaportë gjermane.
BOX: Tirana e Vllaznia shpresojnë në kualifikim
Tirana dhe Vllaznia shpresojnë në rezultat pozitiv në ndeshjet e kthimit, që do t’i luajnë si mysafirë të Trnava, respektivisht Thunit, dhe ta marrin vizën për kualifikim në raundin e tretë të kualifikimeve në Europa League.
Ndeshjet e para kanë përfunduar me rezultat të barabartë 0:0 dhe gjithçka mbetet e hapur për ndeshjet e kthimit, që do të luhen të enjten. Nëse Vllaznia kalon Thunin, në rrethin e tretë do të përballet me Palermon, kurse kundërshtar i mundshëm i Tiranës është Levski Sofia.
Për dallim nga Tirana e Vllaznia, ekipi i Flamurtarit vështirë do ta ketë kualifikimin pasi luan si mysafir i Jablonecit, i cili shënoi fitore 2:0 në takimin e parë në Vlorë.