E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkumbini e Vllaznia, ndajnë pikët në baltë

Kategoria Superiore Vetëm barazim 0-0 mes tyre në Peqin, por në fund sulmohet me gurë autobusi i shkodranëve

është luajtur më në fund ndeshja e prapambetur e javës së 23-të të Kategorisë Superiore, Shkumbini-Vllaznia, e cila ishte shtyrë dy herë në fundjavën e kaluar pikërisht për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Jo se kësaj here fusha ishte në një gjendje më pak të rënduar, pasi nuk kishte ndryshuar asgjë për sa u përket kushteve krahasuar me të shtunën apo të dielën, por megjithatë drejtuesit kanë vendosur ta luajnë këtë sfidë, për të mos i krijuar vetes më shumë ngarkesë në pjesën e mbetur të kampionat. Në një fushë të dominuar totalisht nga balta dhe uji, Shkumbini e Vllaznia ndanë nga një pikë në barazimin pa gola. Megjithatë shifrat 0-0 në fund të 90 minutave nuk shprehin domosdoshmërish një ndeshje pa raste. Këto të fundit nuk kanë munguar. Më këmbëngulës kanë qenë vendasit, të cilët e kanë kërkuar me çdo kusht fitimin e kësaj sfide. Por gjithsesi nuk kanë mundur për asnjë moment të preknin rrjetën e portës së shkodranit Grima. Ndërsa Vllaznia ka qenë më e vakët në lojën e saj, edhe pse hera herës ka tentuar të afrohet më shumë te porta e Shkumbinit. Fërshëllima triherëshe e gjyqtarit kryesor i ka ndarë këto skuadra në një barazim pa gola. Rezultat që nuk i ka lënë shumë të kënaqura skuadrat. Megjithatë, niveli i lojës ka lënë për të dëshiruar, pasi në të vërtetë në Peqin ajo që ka triumfuar ka qenë balta. Ky ishte barazimi i parë midis tyre në tri ndeshjet sezonale. Vllaznia fitoi në fazën e parë 2-0 në “Loro Boriçi” (java 7, dy gola të Bekim Balës), ndërkohë që Shkumbini triumfoi 2-1 ndaj Vllaznisë, falë dy golave të realizuar nga dy blerjet dimërore, Fejzo Shënaj e Altin Gërboviç, në ndeshjen hapëse të javës së 18-të. Pas këtij barazimi, Shkumbini u ngjit në kuotën e 31 pikëve (po aq sa Teuta), por duke kapur vendin e 5-të falë golavarazhit më të mirë se durrsakët. Vllaznia, tashmë në kuotën e 27 pikëve, la pas katër skuadra: Kastrioti, Flamurtari, Skënderbeu e Gramozi, duke dalë përkohësisht nga zona e “minuar” e Superligës. Në javën e 24-t, e cila pas shtyrjes nga ana e Sektorit të Garave nuk do të luhet këtë fundjavë, por në një datë të re, Vllaznia do të presë në Shkodër Laçin e vendit të katërt, ndërsa Shkumbini do të luajë në Fier kundër Apolonisë së vendit të shtatë. Edhe pse ndeshja është luajtur në një klimë të qetë, në përfundim të saj nuk kanë munguar incidentet. Sipas informacioneve që vijnë nga Peqini pas ndeshjes, autobusi i skuadrës së Vllaznisë është sulmuar me gurë nga disa tifozë vendas, duke iu thyer xhamat.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›