Periudhë e mbrapshtë për Lalën, 32-vjeçari është dëmtuar në gju
Fati i keq vazhdon të shoqërojë karrierën e Altin Lalës. Kapiteni i Kombëtares shqiptare është dëmtuar sërish dhe nuk do të luajë në takimin e radhës së Hanoverit, të shtunën kundër Ajntrahtit të Frankfurtit. Një lëndim në gju e bën të pamundur aktivizimin e mesfushorit shqiptar në fundjavë. Ky problem vjen pikërisht në momentin kur 34-vjeçari dukej se po gjente formën optimale. Ai sapo ishte rikthyer nga një dëmtim i gjatë, që e mbajti për plot 22 ndeshje jashtë fushave. Lala debutoi në këtë sezon në takimin e 13 shkurtit, që Hanover humbi 1-5 përballë Verder Bremenit, ndërsa ka luajtur gjithsej 4 ndeshje në Bundesligën gjermane. Mesfushori kavajas u dëmtua gjatë stërvitjes së të martës, duke ndrydhur gjurin. “E kam të pamundur që të luaj dhe ta ndihmoj skuadrën në këtë gjendje”, konfirmoi mesfushori me tipare mbrojtëse. Ndërkohë, stafi mjekësor ende nuk ka bërë të ditur sa rrezikon lojtari të qëndrojë jashtë fushave. Përpara parashikimeve për rikuperimin e plotë, ai duhet t’u nënshtrohet vizitave specifike mjekësore, nga të cilat do të mësohet edhe shkalla e dëmtimit.
Dëmtimi i radhës për Altin Lalën është një lajm i keq edhe për Kombëtaren shqiptare. Lojtari shihet si një element mjaft i rëndësishëm për drejtuesin e stolit kuqezi, në kuadër të eliminatoreve të Europianit 2012. Madje, në takimin e fundit me Irlandën e Veriut (ku luajti sërish pas 11 muajsh me përfaqësuesen), Josip Kuzhe e cilësoi mesfushorin si të shkëlqyer, jo vetëm për kontributin që jep në fushën e lojës, por edhe për aftësitë e lindura si lider.
#