Moti dhe fushat e lënë futbollin në bokse
Kushtet e rënduara atmosferike, të cilat kanë bllokuar mjaft akse rrugore në veri të vendit, por edhe dëmtimi i shumë fushave në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kanë bërë që kampionati të bëjë një pauzë të detyruar. Federata Shqiptare e Futbollit anonçoi shtyrjen e plotë të të gjitha ndeshjeve që ishin planifikuar në fundjavë, në mënyrë që t’u vijë në ndihmë klubeve për përmirësimin e terreneve sportive. Kjo ka bërë që futbolli i të gjitha niveleve, duke filluar nga Kategoria Superiore, e për të vazhduar me Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe kampionatet U-19 dhe U-17, të qëndrojë në “bokse”. Ilir Shulku, shefi i garave në institucionin që drejton sportin më popullor në vend, e cilësoi vendimin si të detyrueshëm, duke e argumentuar me faktin që kampionati në vend ka hyrë në fazën vendimtare, ku lufta për t’u ngjitur një kategori më lart, apo për t’i shpëtuar rënies është mjaft e ndezur. “Fushat në mjaft qytete janë të rënduara për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe një pjesë e tyre nuk janë në gjendje të ofrojnë zhvillimin e një ndeshjeje normale futbolli. Për më tepër që në disa zona të vendit rrugët janë bllokuar dhe paraqitja e skuadrave është e pamundur”, deklaroi përgjegjësi për mbarëvajtjen e aktiviteteve futbollistike në Shqipëri. “Nuk mund të lejonim që njëra skuadër të luante, ndërsa tjetra jo. Në këtë mënyrë do të prishej gara. Kjo është arsyeja përse vendosëm që të gjitha ndeshjet të shtyheshin. Një zgjidhje mund të ishte shtyrja e takimeve të veçanta, por kjo nuk do të vlente, pasi është fundi i kampionatit dhe ashtu siç e parashikon rregullorja, ndeshjet duhet të zhvillohen në të njëjtën kohë, në mënyrë që të mos ketë pretendime dhe akuza”. Shulku sqaroi gjithashtu se java e fundit e Kategorisë Superiore do të luhet më 15 maj dhe jo në datën 8, siç ishte parashikuar në kalendar. Ndërkohë, ndeshjet “play-out” do të zhvillohen një javë më vonë, pra më datën 22 maj.
Problemi më i madh gjatë kësaj periudhe kanë qenë fushat e shkatërruara, mbi të gjitha në aktivitetin elitar në vend. Fillimisht ishin Gramozi dhe Skënderbeu, ekipet që nuk mund të luanin normalisht, madje korçarët me dy takime të prapambetura u bënë shkak që fillimi i fazës së tretë të Superiores të shtyhej me një javë. Gradualisht çështja e fushave bëri që kampionati të hynte në kaos, pasi terreni në Peqin është praktikisht i shkatërruar, me Shkumbinin që është detyruar të shtyjë disa herë ndeshjet. Probleme ka pasur edhe për Dinamon: pas miqësores së 3 marsit, ndërmjet Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut, gjendja e “Qemal Stafës” degradoi dhe drejtuesit e stadiumit nuk i lejuan blutë të luanin aty në fundjavë, pavarësisht kontratës.
#