Shkumbini ëndërron Europën, Rizvanolli protagonist absolut Shkumbini fitoi 2-0 me Apoloninë në debutimin e serbit Karishik. Kjo ishte fitorja e pestë sezonale e peqinasve. Rizvanolli ngjitet ne kuotën e 6 golave

Shkumbini e ka seriozisht. Peqinasit e presidentit Xhavit Ismaili duan pjesëmarrjen e tyre të parë në Europë. Fitorja 2-0 ndaj Apolonisë në javën e 10-të, pason atë ndaj Partizanit në kryeqytet shtatë ditë më parë. Tani në vendin e tretë me 18 pikë, po aq sa Vllaznia, e një pikë më pak se Tirana, që ka dhe një ndeshje për të luajtur.
Protagonisti absolut është po ai. Erjon Rizvanolli. Goli i tij në minutën e 9-të (1-0) entuziazmoi tifozët më Peqin, ndërkohë që ish-lojtari i të tre ekipeve të Tiranës – Dinamos, Tiranës e Partizanit – realizoi golin e tij të gjashtë sezonal. Po aq sa Memelli i Tiranës (ka në dispozicion edhe ndeshjen kundër Elbasanit të dielën) e Dhembi i Vlllaznisë (shënoi të shtunën kundër Lushnjës).
Për të fiksuar fitoren e pestë sezonale të formacionit të Gugash Maganit mendoi maqedonasi Delioski, i cili me golin e tij në minutën e 83-të dyfishoi shifrat.
Trajneri serb i Apolonisë, Esad Karishik mori leksionin e parë në futbollin shqiptar: një humbje që ka vetëm ngushëllimin se u luajt në transfertë dhe ndaj një prej katër ekipeve më të mira për momentin të Shqipërisë.
Ndërsa Shkumbini regjistroi fitoren e dhjetë jubilare me Apoloninë në 22 takime historike, Apolonia gjendet në një pozitë jo të kënaqshme në renditje: vendi i 10-të me vetëm 8 pikë pas 10 ndeshjesh, dy pikë më shumë se Partizani i vendit të fundit, që nga ana e tij barazoi me Besën (0-0) në Kavajë të premten dhe një më shumë se Lushnja, që nga ana e saj humbi thellë në shtëpi me Vllazninë (1-4).
Java 10
Shkumbini-Apolonia 2-0
Rizvanolli 9' 1-0
Deliovski 83' 2-0
BILANCI MIDIS SKUADRAVE
21 ndeshje
10 fitore Shkumbini.
E fundit: 2-0 08.11.2008
5 barazime
I fundit: 0-0 12.04.2003
7 fitore Apolonia.
E fundit: 3-0 02.12.2002
31 gola te shenuar Shkumbini
24 gola te shenuar Apolonia
E Shtune, 08 Nentor 2008