Shkup, BFIM: Kujdes nga organizatat e dyshimta fetare

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni (BFIM) po ndjekë zhvillimet e fundit lidhur me veprimin e disa organizatave në emër të fesë që realizojnë aktivitete fetare sidomos në këtë muaj Ramazani.
Zyrtarë të BFIM-së kanë bërë të ditur se i kanë bërë me dije besimtarëve që të mos bëhen pjesë e disa organizatave që kanë prapavijë të errët në emër të fesë islame.
Revista amerikane “Weekly Standard” në një reportazh për Maqedoninë ka pasqyruar rrezikun e pranisë së radikalizmit islam përmes disa organizatave që ka përmendur dhe ndikimeve financiare arabe.
BFIM pranon se predikues të ndryshëm që nuk njihen brenda opinionit fetar dhe shqiptar në Maqedoni vijnë dhe predikojnë në emër të disa organizatave dhe shoqatave të ndryshme fetare.
Kjo situatë ka nxitur bujë me praninë në një ceremoni fetare në Tetovë të Hani Ramadan, vëllai i intelektualit të njohur Ramadan Tariç. Hani dhe Tarik Ramadan janë nipat e Hassan el – Bena, themeluesi i Vëllazërisë Myslimane. Dy vëllezërit nga “Weekly Standard” janë konsideruar si predikues të çështjeve radikale që dëmtojnë islamin tradicional shqiptar.
Nga institucioni fetar islam në Maqedoni rekomandojnë qytetarët që të kenë kujdes edhe lidhur me disa organizime humanitare nga shoqata të ndryshme në mbarë vendin, ku mblidhen para me qëllimet për ndihmë të të varfërve. Prania dhe aktivizimi i shoqatave të ndryshme fetare është më dinamike gjatë muajit të Ramazanit në Maqedoni.