E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, Gruevski merr mandatin për formimin e qeverisë

SHKUP- Lideri i VMRP-DPMNE Nikolla Gruevski ka në dispozicion 20 ditë që të dorëzojë pranë Parlamentit, përbërjen dhe programin e Qeverisë së re.

Presidenti i vendit Gjorgje Ivanov i dorëzoi sot mandatin Nikolla Gruevskit për formimin e Qeverisë së re. Sipas afateve kushtetuese, Gruevski ka në dispozicion 20 ditë që të dorëzojë pranë Parlamentit, përbërjen dhe programin e Qeverisë së re. Njëkohësisht po vijojnë negociatat për formimin e koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe BDI-së.

Kryetari i Parlamentit në afat prej tre ditëve nga dita e pranimit të njoftimit nga presidenca për dhënien e mandatit, duhet të njoftojë deputetët për kandidatin për kryeministër.

Mbledhja për zgjedhjen e Qeverisë së re mbahet në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të propozimit për formimin e Qeverisë. Qeveria e re zgjidhet me shumicën e votave, gjithsejt 62 vota nga gjithsejt 123 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë.
(s.g/Mia/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›