E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup: Zyrtarizohet shënimi i 100-vjetorit të pavarësisë

Shënimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është përfshirë zyrtarisht në programin vjetor të shënimit të ngjarjeve dhe jubileve historike për vitin 2012 në Maqedoni.

Vendimi është miratuar nga komisioni parlamentar për shënimin e ngjarjeve historike, ku deputetët e VMRO-DPMNE dhe të BDI kaluan propozimin falë një marrëveshjeje mes këtyre dy partive.

Deputeti i BDI’së, Arben Labënishta, theksoi se festat kombëtare të shqiptarëve duhet të pranohen, sepse kështu respektohet kultura, trashëgimia historike e kulturore e njëri-tjetrit në Maqedoni.

Por, deputetët nuk pranuan propozimin e Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) që pjesë e shënimit të ngjarjeve historike për vitin 2012 të jenë edhe Ngjarjet e Gostivarit për flamurin kombëtar, të vitit 1997, si një jubile 15-vjeçar.

Kundër këtij vendimi votuan deputetët e VMRO-DPMNE, BDI dhe LSDM. Sipas tyre, kjo ngjarje nuk i plotëson kriteret që i përcakton Rregullorja për datat e rëndësishme historike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›