E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Khatib në histori, nga Palestina në Izrael

Ali Khatib e ka thyer akullin, duke u bërë futbollisti i parë palestinez në histori që kalon te një klub izraelit. Trajneri i Hapoel Haifas, Tal Banin, thotë se 22 vjeçari e bindi që ta transferojë që në shikimin e parë. Ndërkaq, Khatib ndihet i lumtur në klubin izraelit dhe shpreson që rasti i tij të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve të acaruara në mes të dy vendeve.

Palestina dhe Izraeli njihen si dy prej shteteve më të urryera ndërmjet vete në botë dhe lufta e tyre shekullore vazhdon. Mirëpo, kjo nuk e ka penguar futbollistin palestinez Ali Khatib, që të bëhet lojtari i parë që kalon nga kampionati palestinez në atë izraelit.

Trajneri i Hapoel Haifas, Tal Banin, i cili 15 vjet më parë luante në Itali me Brescian, ka vendosur ta transferojë lojtarin palestinez në ekipin e tij, pasi e kishin tërhequr cilësitë e tij.

“Për të vendosur që ta marr vendimin që ta transferoj atë, më ka mjaftuar që ta shoh një video prej disa sekondash. Nuk jam influencuar nga prejardhja e tij, ngase kjo histori e bukur shkon më larg se futbolli”, deklaroi trajneri Tal Banin.

Ali Khatib është lindur në Shfar'am, një qytet me shumicë arabe në Izrael dhe e ka nisur karrierën në Hapoel Shfar'am. Si 16 vjeç kishte kaluan në ekipin palestinez Jabal al-Mukaber, ku në vitin 2010 e kishte fituar trofeun e parë. Ndërsa së fundmi arriti transferimi në Hapoel Haifa, ku ka shënuar katër gola në shtatë ndeshje.

“Ishte opsioni më i mirë për mua. Në kampionatin izraelit ka më shumë spektatorë në krahasim me atë palestinez. Ishte një ëndërr, por sinqerisht nuk e besoja se do të kisha aq shpejt sukses. Tash shpresoj që edhe të tjerët ta ndjekin shembullin tim dhe ndoshta një ditë të arrijmë t’i afrojmë edhe dy popujt”, deklaroi 22 vjeçari.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›