E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, kuvendi voton qeverinë Gruevski

SHKUP- Parlamenti i Maqedonisë votoi mbrëmë para mesnate kabinetin e ri qeveritar të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Për përbërjen e re të koalicionit qeveritar midis VMRO-DPMNE dhe partisë shqiptare BDI votuan 70 deputetë, 47 kundër dhe asnjë abstenim.

Rritja e zhvillimit ekonomik dhe punësimet, integrimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit, mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike dhe investim në arsim, shkencë dhe teknologji informatike, janë pesë prioritetet të cilave do t’u përkushtohet Qeveria e re.

Kabineti i ri qeveritar ka dhënë betimin para deputetëve për mandatin e ri. Në koalicionin e ri qeveritar, BDI udhëheq me 5 ministri dhe 2 poste të zëvendëskryeministrave, ndërsa nga një ministri pa resor do të kenë përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rom.

Përbërja zyrtare e Qeverisë është si vijon:

Nikolla Gruevski Kryeministër

Nikolla Popovski ministër i  Punëve të Jashtme

Gordana Jankullovska ministre e Punëve të Brendshme

Zoran Stavrevski ministër i Financave

Elizabeta Kançevska Milevska ministre e Kulturës

Nikolla Todorov ministër i Shëndetësisë

Spiro  Ristovski – ministër i Punës dhe Politikës Sociale

Pançe Kralev ministër i Shëndetësisë

Vladimir Peshevski zëvendëskryeministër për çështje ekonomike

Ivo Ivanovski ministër për Informatikë dhe Administratë Publike

Mile Janakievski ministër i Transportit dhe Lidhjeve

Lupço Dimov ministër i Bujqësisë

Ministrat nga radhët e BDI-së:

Fatmir Besimi ministër i Mbrojtjes

Blerim Bexheti ministër i Drejtësisë

Valon Saraçini ministër i Ekonomisë

Abdylaqim Ademi ministër i Ekologjisë

Nevzat Bejta ministër i Pushtetit Lokal

Musa Xhaferi zëvendëskryeministër për Marrëveshjen e Ohrit

Teuta Arifi zëvendëskryeministre për Evrointegrime

Votimi i Qeverisë së re pasoi pas dy ditësh debatesh të ashpra midis pozitës dhe opozitës. Nikolla Gruevski është kryeministri i gjashtë pas pavarësimit të vendit, ndërsa ai me këtë po udhëheq me mandatin e tretë për kryeministër të vendit pas fitores në zgjedhjet e vitit 2006 dhe ato të parakohshme të vitit 2008 dhe 2011. (INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›