Shkupi 2014, BDI dhe PDSH ashpërsojnë akuzat
SHKUP- Realizimi i projektit Shkupi 2014 ka perplasur serish sot BDI dhe PDSH, te cilat kane akuzuar njera tjetren per fajesine lidhur me projektin.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi sot në një konferencë të organizuar me gazetarët ka theksuar se PDSH-ja është bashkautore e projektit Shkupit 2014.
Shqiptarët e dinë shumë mirë se autori ekskluziv i projektit Shkupi 2014 është PDSH-ja gjatë qeverisjes së paligjshme dhe drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga Arifhikmet Xhemaili, deklaroi sekretari i përgjithshëm Ademi.
Sipas tij, veprimet e PDSH-së janë të njohura dhe se ato tradicionalisht i kanë sjelle dëme shqiptarëve në Maqedoni.
Ai ka akuzuar PDSH-në edhe për qeverisjen e saj me VMRO-DPMNE gjatë vitit 2006.
Shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë uzurpimin 16 mujor të institucioneve shtetërore nga ana e PDSH-së, pa vullnetin e shqiptarëve, si dhe dështimin e tyre në këtë qeverisje. Asnjëherë nuk harrohen moratoriumi për çështjet etnike, mosnjohja e Kosovës, instalimi i regjimit me viza me Shqipërinë, respektimi i marrëveshjes Serbi Maqedoni mbi kufirin e Kosovës, mosrealizimi i demarkacionit, abrogimi i Ligjit për Flamur, inferioriteti dhe serviliteti ekstrem, gërmimet politike në Kalanë e Shkupit dhe shumë padrejtësi institucionale ndaj shqiptarëve, theksoi Ademi.
Nga ana tjetër, PDSH është kundërpërgjigjur për projektin Shkupi 2014 dhe realizimin e busteve të Aleksandërit të Madh dhe të Skënderbeut në Shkup.
Deputeti dhe sekretari organizativ i PDSH-së, Bekim Fazliu ka theksuar se sa i përket vendosjes së përmendores së Skënderbeut, dhënien e lejes e ka bërë PDSH në kuadër të Qytetit të Shkupit gjatë qeverisjes së saj në kryeqendër si partnere e koalicionit me një nga partitë maqedonase.
PDSH-ja mban vulën dhe realizimin e shtëpisë së Nënë Terezës, Institutin për trashëgimi kulturore dhe shpirtërorë të shqiptarëve dhe dhënien e lejes për vendosjen e përmendores së Skënderbeut në Shkup. Projekte tanimë të prekshme dhe jo premtime boshe të tipit Ali Ahmetjan -BDI, që prej 2010-ës shesin pallavra se do vendosin edhe 2-3 figura të shqiptarëve në shesh të Shkupi, por që shqiptarët nuk i shohin askund, kjo i ngjan hapjes së pikës kufitare Llojan-Miratoc, theksoi Bekim Fazliu.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me vendosjen e bustit të Aleksandërit të Madh.
Sipas Fazliut, Ahmeti ka deklaruar se vendimi për vendosjen e Aleksandërit të Madh është marrë gjatë qeverisjes BDI dhe LSDM, e cila tashmë është në opozitë.
Dmth sipas Aliut, Aleksandrin e ideoi me LSDM-në, ndërsa e realizoi me VMRO-në. Pra emërues i përbashkët i diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni është çdoherë Ali Ahmeti, i cili herë është me Cërvenkovskin e herë me Gruevskin dhe asnjëherë me shqiptarët, theksoi deputeti Fazliu, duke pyetur se me cilën parti BDI ideoi përmendoret e sllavomaqedonasve tjerë të vendosur në sheshin e Shkupit. (INA)