Debate për Shamikuqen e Xhelal Mziut
Komisionerja për mbrojtjen nga diskriminimi është investuar për hetimin e rastit të denoncuar nga një ish-punonjëse e administratës, për kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Por komisionerja Irma Baraku tha gjate raportimit në Komisionin e Ligjeve, se nuk mundi të provonte se numri i telefonit prej nga niseshin ngacmimet seksuale ishte i kreut të njësisë lokale, raporton Vizion Plus.
Më kërcënojnë se as në hënë nuk do më lënë të qetë – Rrëfimi i “Shamikuqes” disa muaj më parë për ngjarjen
30 vjeçarja N.Ç (Shamikuqja)
Jetoj me frikë në çdo moment dhe kudo që hedh hapat ndihemi të kërcënuar. Këtu jemi mbledhur sot për të folur për dhunën ndaj grave në vendin e punës dhe unë jam një ndër të dhunuarat. Unë kam punuar në Bashkinë e Kamzës dhe nga kryetari i kësaj bashkie, Xhelal Mziu jam dhunuar psikologjikisht dhe kam pasur edhe ngacmime seksuale. Pas ankesave të mia që bëra tek deputeti i zonës Myqerem Tafaj, tek kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe tek deputeti i PD-së, Flamur Noka, askush nga këta nuk më dha një zgjidhje. Madje as zonja Topalli, e cila është femër dhe mendoja se do gjeja mbështetje. Në fakt dua të saktësoj se mesazhet që kam publikuar nuk janë të vetmet, por ka edhe shumë të tjera që më vinin nga kryetari duke më ngacmuar seksualisht. Jam ndier e dhunuar jo vetëm nga eprori im, por edhe jam paragjykuar nga kolegët e mi. Por fatkeqësia ime nuk u ndal me kaq, por dhuna vazhdoi edhe më ashpër jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj të fejuarit tim. Ishim të dy bashkë dhe një polic i Bashkisë së Kamzës erdhi dhe na qëlloi, madje me tytën e pistoletës. Të dy përfunduam në spital dhe policia donte të na nxirrte sa më shpejt që të mos dukej se ishim dëmtuar shumë. Këmbëngulën mjekët që të rrimë në spital se ishim rëndë. Tashmë kanë kaluar 3 javë nga kjo ngjarje e rëndë dhe ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje edhe pse e kemi denoncuar atë. Madje marrim vazhdimisht kërcënime duke na thënë se as në hënë nuk do na lënë rehat nëse nuk e mbyllim këtë çështje. Tashmë kam mbetur jo vetëm e papunë por jetojmë edhe me frikë. Shpresojmë që shteti dhe kryeministri të mos i konsiderojnë jetët tona si flluskë sapuni, por të marrin masa.