E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano: Do provoj t`i rimarr PS-në Ramës. E kam mundur gjithmonë Berishën, përveç vitit 2005 kur më pengoi Edi Rama

Share

(E PERDITESUAR)- Fatos Nano për herë të parë ka paralajmëruar me gojën e tij (jo me deklaratat e Arjan Galdinit), se pas tretjes së ambicies presidenciale, do synojë drejtimin e PS. Ish lideri historik i së majtës në një prononcim të shkurtër deklaron se tashmë ka vetëm një mision: të çojë socialistët në fitoren e zgjedhjeve të 2013 me ose pa Edi Ramën, raporton Ora Neës.

Kjo lëvizje do të orientojë fuqimisht elektoratin e majtë drejt një formule fituese me apo pa Edi Ramën. Nuk e përjashtoj objektivin e rimarrjes së drejtimit të PS, dhe në rast se Rama dhe struktura që ai drejton do ta pengojnë këtë gjë, ne do ta orientojmë të gjithë ushqimin elektoral të socialistëve dhe të së majtës drejt një liste tjetër, jo të Ramës, shprehet Nano.

Por si synon Nano të rimarrë drejtimin e PS: Nëpërmjet këtij uragani që sapo ka nisur dhe natyrisht do ta përfshijë dhe vetë PS.

Fatos Nano ka vijuar me serinë e akuzave ndaj kreut aktual të PS-së, që sipas tij i ka sjellë partisë më të madhe opozitare vetëm humbje, humbje që për Nanon duhet të marrin fund.

Në rast se Rama vazhdon të qesëndisi me nervozizëm nevojën për të rikthyer fuqinë e socialistëve të bashkuar, atëherë fundi do të jetë edhe gjymtimi i këtij fenomeni nga Rama në Ra. Edi Rama ka 7 vjet që i çon socialistët në humbje dhe kjo gjendje duhet të marrë fund, deklaroi ai.

Një ditë pasi Lëvizja Nano për fitoren e socialistëve mori jetë zyrtarisht, Fatos Nano ka nisur mbledhje të gjata me aktivistët e kësaj lëvizje, që ai nuk ngurron ti quajë një uragan.

Ne jemi në procesin e regjistrimit të vullnetarëve dhe aktivistëve të kësaj lëvizjeje që është pritur me entuziazëm nga të gjitha kategoritë e socialistëve, nga shumë të rinj, nga përfaqësues të strukturave të PS apo militantë të traditës. Nisëm lëvizjen duke ndërtuar armatën, u shpreh Nano.

Pas deklarimeve të vetë Nanos, ka ardhur edhe një njoftim nga lëvizja e tij. Aty thuhet se Nano e ka mundur Berishën gjithmonë, përveçse në vitin 2005 kur e pengoi Rama.

Fatos Nano i sjell në vëmendje Kryetarit të pamerituar dhe humbës kronik të PS Edi Rama, se Nano ka qenë për 15 vite kryetar i PS e sot është aktualisht anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS. Askush nuk mundet ti mohojë, deformojë apo zhbëjë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS bashkë me Fatos Nanon. Askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë PS.

Historia e Fatos Nanos me PS është histori fituese. Kujtojmë këtu se PS nën drejtimin e Nanos e ka mundur Sali Berishën që në zgjedhjet lokale në korrikun e vitit 1992, pak muaj pas fitores zulmëmadhe të Sali Berishës në 22 marsin e pandalshëm për shkak të rrjedhës historike. PS me Fatos Nanon e kanë mundur Sali Berishën në kushte shumë më të vështira konkurrimi sesa këto në të cilat ndodhet apo për të cilat ankohet sot kryetari i pamerituar dhe humbës i PS Edi Rama, thuhet në njoftim.

PS me Fatos Nanon e ka mundur Sali Berishën në të gjitha zgjedhjet e votimet e mundshme parlamentare, lokale apo referendare. Fatos Nano ka humbur vetëm zgjedhjet e vitit 2005 për shkak të ndarjes së PS por edhe për shkak të pabesisë dhe kurtheve e goditjeve passhpine dhe nënbrinjë të Edi Ramës me lëvizjet e krijuara e mbështetura prej tij të njohura asokohe si MJAFT, më vonë si G99, e sot si grushti i çeliktë rreth Edi Ramës për uzurpimin, keqpërdorimin dhe humbjet e pareshtura të PS. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve u bën thirrje të gjithë anëtarëve të PS dhe të gjithë të zgjedhurve lokalë e qendrorë të PS që t’i bashkohen nismës për çlirimin e PS nga ankthi dhe sëmundja e humbësve dhe humbjeve, si edhe për ndërtimin e një bashkëudhëtimi të ri prej dalëzotsash si fitues së bashku me Fatos Nanon, vijon njoftimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›