Shkurtohen procedurat për pronësinë e tokës bujqësore
Anilejda Shëmbitraku
Burime pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë deklaruar për gazetën “Albania” se gjatë vitit 2011 do të amendohen dy ligje që kanë të bëjnë me titujt e pronësisë së tokave bujqësore. Sipas këtyre burimeve, prej tre vitesh këta tituj pronësie dhe akte në përdorim po verifikohen nga Komisioni i Tokës. Amendimet e këtyre ligjeve do të bëjnë që të shkurtohen procedurat dhe dokumentacioni për dhënien e vendimeve. Këtë vit do të nisin sanksionet për tokën bujqësore të papunuar. Këtë vit, me financimin e Bankës Botërore, do të studiohet zona e Shkodrës dhe ajo e Lezhës. Në infrastrukturën e kësaj zone, në mënyrë që të mos përmbytet më, do të investohen 30 milionë dollarë.
Pezullimi
Zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pavarësisht se nuk mund t`i pengojnë të tretët në kryerjen e veprimeve mbi pasuritë, janë të detyruara, në çdo rast, të bëjnë verifikimin e regjistrimit në origjinë të tokës bujqësore. Por në rast se del se ka mbivendosje apo shkelje në transferimin e tokës te të tretët atëherë komisioni i verifikimit të tokës merr masën e pezullimit dhe procedurën e heqjes së titullit. Kjo e parashikuar dhe në ligjin për verifikimin e titujve të pronës. Kur pasuria, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, nuk figuron e regjistruar në pronësi të përfituesit, me ATMP, dhe regjistrimi i saj do të bëhet: gjatë procesit të regjistrimit fillestar sistematik të zonës kadastrale, ku ndodhet gjeografikisht pasuria; b) me “kërkesë për regjistrim”, kur pasuria ndodhet në zona kadastrale, për të cilat ka përfunduar regjistrimi sistematik i pasurive; c) me “kërkesë për regjistrim në raste të veçanta”, kur pasuria ndodhet në zona kadastrale ku nuk ka filluar procesi i regjistrimit sistematik të pasurive”.
Shitja
Kur pasuria nuk figuron në pronësi të përfituesit të parë sipas ligjeve të ndarjes së tokës në Shqipëri, nis verifikimi i mbivendosjeve apo ligjshmërisë së regjistrimeve të fryra që nga regjistrimi në origjinë i tokës bujqësore. Fillimisht verifikohen regjistrimet, duke filluar nga regjistrimi i fundit deri te regjistrimi i dytë, me përjashtim të regjistrimit të origjinës. Në rast se janë kryer sipas ligjit, atëherë vijohet me verifikimin e regjistrimit në origjinë të pasurisë. Kur gjatë verifikimit rezulton se regjistrimi në origjinë i tokës bujqësore ka mangësi apo është kryer në kundërshtim me ligjin atëherë, konstatimet e kryera nga punonjësit, që përpunojnë praktikat, i referohen regjistruesit në formë të shkruar, duke treguar hollësisht mangësitë dhe shkakun e paligjshmërisë. Kur vërehen shkeljet, apo del se sipërfaqja është më e vogël nga sa duhet çështja i dërgohet komisionit vendor të verifikimit të titujve të pronës.
Heqja e pronësisë
Në rastet kur vërtetohet se sipërfaqja e dhënë në përdorim, si kullotë, sipërfaqe pyjore apo toka në bregdet nuk kanë qenë përfshirë në zërin “Tokë bujqësore” në regjistrat kadastralë të vitit 1991l, atëherë ajo i hiqet nga pronësia individit që e zotëron. Në rastet kur kjo sipërfaqe është shitur, siç ka ndodhur, kryesisht, për tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, apo atyre në bregdet, atëherë individi që e ka marrë në përdorim dhe e ka shitur si pronë të tijën duhet që për këtë sipërfaqe të paguajë pagesën e kësaj prone. Vlera e kësaj toke do të llogaritet sipas çmimeve të bazuar në Vendimin Nr. 183, datë 28.04.2005. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, pritet të nisë dhe kontrolli për pronat, proces i cili do të shoqërohet me ngritjen e komisioneve të posaçme, të cilat do të verifikojnë aktet e ndarjes së tokave, mbështetur në ligjet e miratuara pas vitit 1993. Duke u nisur dhe nga denoncimet apo konfliktet mes palëve, ligji kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili do t’u japë zgjidhje të gjitha çështjeve, si dhe do t’i japë fund çdo akuze për ndarje të tokave në forma të jashtëligjshme
Të dhënat
1. Regjistrimi i fitimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, me aktin e marrjes së tokës në pronësi (në vijim AMTP), të nxjerrë në zbatim të ligjeve: nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar; nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”; nr. 8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, të Vendimit Nr. 452, datë 17.10.1992 të Këshillit të Ministrave “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve shtetërore”, të ndryshuar, bëhet nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP), në përputhje me nenet 24 e 38 të Ligjit Nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, pas verifikimit nëse AMTP-ja përmban elementet e mëposhtme, të formës dhe përmbajtjes:
a)Emrin dhe mbiemrin e përfituesit apo të përfaqësuesit të familjes bujqësore, përfituese të tokës bujqësore;
b)Identifikimin e organit që e ka lëshuar AMTP-në (të paktën kërkohet nënshkrimi i kryetarit të komisionit të ndarjes së tokës);
c)Të dhënat identifikuese të pasurisë/ve, të dhëna në pronësi (të paktën kërkohet sipërfaqja, lloji i tokës bujqësore: (arë, pemëtore, vreshtë, ullishte);
ç)Njërën nga vulat e mëposhtme:
1- Vulën e komitetit ekzekutiv të fshatit;
2- Vulën e kryeplakut;
3- Vulën e komunës/bashkisë;
4- Vulën e ndërmarrjes bujqësore;
5- Vulën e këshillit të rrethit/këshillit të qarkut.
14 Janar 2011