Lëvizja për Shqipërinë Natyrale, krijesë spekulative politike
Pozicioni i shqiptarëve varet nga proceset e integrimit. Anëtarësimi në BE zbeh çdo ide për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Një mendim të tillë e shpreh deputeti Fatos Beja, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, në Kuvendin e Shqipërisë në një intervistë dhënë për gazetën, zoti Beja e ka konsideruar sajesë spekulative politike Lëvizjen për Shqipërinë Natyrale. Ai ka komentuar edhe zhvillimet politike dhe diplomatike të vitit 2010, ku ka vlerësuar si sukses heqjen e vizave të shqiptarëve në zonën Shengen apo rolin e Tiranës zyrtare në rajon si një faktor stabiliteti.
Cilat janë vlerësimet tuaja për diplomacinë shqiptare gjatë vitit që lamë pas dhe sfidat për vitin 2011 ?
Viti 2010 shënoi disa arritje me vlerë afatgjatë për vendin tonë, ku diplomacia shqiptare dha një ndihmesë të dorës së parë. Pa dyshim, kryesorja është arritja e qarkullimit të lirë e pa viza të shqiptarëve, për të cilën qeveria dhe institucionet e tjera shqiptare u angazhuan në përpjekje të pareshtura duke e trajtuar si një përparësi për shoqërinë shqiptare. Kuptohet, diplomacia ka sjellë ndihmesën e saj gati të përditshme e me shumë këmbëngulje, qoftë pranë Komisionit Europian, Parlamentit apo Këshillit të BE-së, qoftë pranë qeverive të vendeve anëtare. Përtej vullnetit pozitiv të shprehur nga rrethet zyrtare, procesi ka qenë i vështirë edhe pse qeveria dhe parlamenti i realizuan të gjitha detyrat e kërkuara si për të gjitha vendet e tjera të rajonit, madje edhe detyra shtesë të pakërkuara më parë.
Duhet të kuptojmë se qëndrimi ndaj imigrantëve në publikun e vendeve Schengen dhe frika e qëndrimeve të paligjshme ka qenë më e madhe se kurrë më parë, qoftë për shkak të krizës ekonomike dhe papunësisë në rritje në këto vende, qoftë për shkak të përvojave negative që u vërejtën në to pas heqjes së mëparshme tё vizave për disa nga vendet ballkanike. Aq më tepër që bëhej fjalë për Shqipërinë, një vend, që, ndryshe nga rajoni, nuk e ka pasur ndonjëherë këtë të drejtë dhe ka pasur migracionin më të fuqishëm në Evropë në vitet e tranzicionit me rreth një të tretën e popullsisë se saj, aq më tepër me shumë qëndrim joligjor. Për fat të keq, këtyre i u shtua edhe përcjellja e lëvizjeve antiqeveritare të opozitës në kancelaritë e BE-së dhe të vendeve anëtare, çka kërkoi përpjekje suplementare diplomatike për të provuar arritjet.
Gjithsesi, ndër arritjet e tjera pozitive të diplomacisë do të përmendja përparimin e marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe rritjen e rolit paqëtues që Shqipëria ka luajtur në gadishullin tonë, angazhimin në forcimin e pozicionit të shtetit të ri të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar,etj.
Flitet shpesh për një rol pozitiv të Shqipërisë në rajon, por konkretisht si duhet kuptuar kjo? A lidhet me ndonjë rol më aktiv të Tiranës zyrtare për të ndikuar pozitivisht te institucionet politike dhe politikanët shqiptarë në shtetet fqinje? Me fjale te tjera, si përfytyrohet ky rol i Shqipërisë njëkohësisht edhe si faktor, edhe si aktor në këtë aspekt?
Nga fakti që shqiptarët jetojnë në territorin e disa shteteve ballkanike, me një trashëgimi historike konfrontimi, madje problematike edhe në ditët tona, kuptohet qëndrimi i Shqipërisë ka pasur një rëndësi të veçantë për rajonin. Vlerësimi i përgjithshëm ndërkombëtar për Shqipërinë, si faktor dhe aktor në rajon ka qenë shumë pozitiv. Krijimi i shtetit të ri të Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe zgjerimi i saj në rajon, përbëjnë faktorë të pamohueshëm të konsolidimit të sigurisë për popujt e rajonit. Shqipëria e ka ndër përparësitë e saj forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit dhe të miqësisë me të gjithë vendet e rajonit, dhe kjo do të jetë një përparësi edhe për vitin 2011.
Duhet të kuptojmë se ne shqiptarët kemi provuar varfërinë më të madhe nga të gjithë popujt evropianë në 70 vitet e fundit dhe njohëm diktaturën komuniste më të egër e më fanatike nga të gjitha vendet e Evropës Lindore, çka shpjegon edhe pse shërimi i pasojave të saj merr më shumë kohë se në vendet e tjera. Ne nuk kemi më kohë për të humbur: ne duhet të ngremë detyrimisht standardin e jetesës në nivelin e popujve të tjerë. Dhe kjo mund të arrihet duke u angazhuar tërësisht në hullinë e integrimeve evropiane të të gjitha vendeve të rajonit. Kjo rrit bashkëpunimin, zhduk muret në kufij, favorizon bashkëjetesën dhe miqësinë me popujt fqinj dhe ndihmon në përballimin bashkërisht me ta të sfidave të epokës sonë. Ne tashmë shijojmë avantazhet e një politike të tillë, të cilat do të shpeshtohen në kёtё vit dhe nё vitet në vijim. Transparenca në qëndrimet politike dhe objektivat e nxitin këtë frymë bashkëpunimi. Unë kam bindjen se këto interesa tona madhore konvergojnë me interesat madhore të popujve tanë fqinjё dhe kjo është një bazë për angazhimin e përbashkët në institucione supranacionale europiane e euroatlantike, që prodhojnë siguri, zhvillim ekonomik dhe jetë më të mirë për njerëzit tanë. Sigurisht, që ne përpiqemi që ky vizion të bëhet vizioni i përbashkët i të gjitha grupimeve politike në vendet e rajonit tonë.
Zgjedhjet e fundit në Kosovë dëshmuan se ka dhe grupime dhe votues për bashkimin kombëtar të të gjithë shqiptarëve me idenë se integrimi europian i Shqipërisë dhe Kosovës duhet tё bёhet si një komb i njëjtë dhe si një shtet i bashkuar. Mbështetës të ngjashëm të këtij koncepti në formën e Shqipërisë Natyrale ka dhe në vendin tonë. Përballë koncepteve të idealistëve dhe realistëve për bashkimin kombëtar, cili është komenti tuaj në prizmin e detyrimit politik e diplomatik që buron nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë?
Kushtetuta jonë është një kushtetutë e standardeve europiane moderne dhe në bazë të parimeve të saj janë pikërisht standardet europiane, realizimi të cilave është garant edhe i realizimit dhe zbatimit të Kushtetutës sonë. Sa më shpejt që standardet europiane komunitare të ndërtohen e të respektohen tërësisht në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Serbi, aq më shpejt idetë përthyhen në realitete tokësore, ndryshe idetë largohen nga toka e shkojnë drejt qiellit si idetë milosheviçiane për bashkimin e të gjithë serbëve. Historia e Europës na i ofron modelet. Prandaj standardet europiane të mbrojtjes së kombit dhe të minoriteteve duhen respektuar me sinqeritet e vendosmëri, ta bëjmë këtë vetë dhe të punojmë që të njëjtën gjë të bëjnë edhe të tjerët.
Ka një punë shumë të madhe për t’u bërë, qoftë në Shqipëri, qoftë në vendet përreth Shqipërisë. Dhe të mos harrojmë se një pjesë e konsiderueshme dhe në rritje e kombit jeton sot jashtë tokave të banuara historikisht nga shqiptarët. Detyrimet kushtetuese kërkojnë të konvergojmë të gjitha përpjekjet në të njëjtin drejtim. Qarkullimi i lirë i shqiptarëve në hapësirën Shengen dhe në vendet përreth nesh është një standard i ri europian për ne shqiptarët, mungesa e të cilit na ka shkaktuar për shumë breza shumë dhimbje e bjerrje dinjiteti. Është një hap që i ndihmon ndjeshëm e drejtpërdrejt forcimit të identitetit tonë kombëtar. Ashtu siç i shërben këtij detyrimi kushtetues edhe zhvillimi ekonomik e kulturor konvergues mbarëshqiptar.
Konsolidimi i Kosovës si shtet, njohja e tij nga OKB-ja nё tё ardhmen, forcimi i standardeve europiane në realitetin kosovar, në institucionet qeverisëse qendrore e vendore, në institucionet e tjera shtetërore dhe në jetën e qytetarëve të thjeshtë është sot sfida prioritare për kombin shqiptar, që meriton të mbështetet në emër të detyrimeve kushtetuese dhe jo të pengohet nga ide alternative kundërvënëse. Po të lexoni “Bisedimet e Këshillit Kombëtar” të vitit 1920, do të shihni se shqiptarët dhe qeveria e Shqipërisë në atë vit ballafaqohej me të njëjtat rreziqe e sfida njohjeje, copëtimi e qeverisjeje si Kosova sot. Pa dyshim, sot është shumë më lehtë, shqiptarët si komb asnjëherë nuk janë ndjerë më të sigurtë se sot.
Unë besoj se janë këto arsyet që asnjë grup politik në Shqipëri nuk merret me Lëvizjen për Shqipërinë Natyrale, e cila duket më shumë si një krijesë spekulative politike, sesa një qëndrim i ndonjë shtrese të shqiptarëve të Shqipërisë. Ndërsa, rezultatet elektorale befasuese të “Vetëvendosjes” në Kosovë unë do t’i shihja si reagim ndaj vështirësive, që hasin shqiptarët e Kosovës në jetën e përditshme sot, ndaj sfidave të forta, që duhet të përballojnë institucionet qeverisëse kosovare dhe veçanërisht si një reagim ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe përfaqësuesve të tyre në lidhje me këtë fazë të zhvillimeve në Kosovë. Madje, po ta shihni në prizmin e një analize elektorale, nuk mund të anashkaloni faktin se vetë emri i këtij subjekti të ri zgjedhor kosovar është “vetëvendosje” dhe jo “bashkim’’.
Intervistoi Harillaq Kekezi
14 Janar 2011