E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi, në fund të prillit do të ndahet fondi prej 300 mijë dollarësh



Anilejda Shëmbitraku

Burime nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kanë deklaruar për gazetën “Albania” se për vitin 2010 nuk është ndarë fondi për kompensimin financiar, sikundër ka ndodhur 5 vite me radhë. Kjo pasi po përgatitet një vendim i ri mbi procedurat. Megjithatë, brenda muajit prill, ky fond, i cili arrin shifrën 300 mijë dollarë, do të shpërndahet. Fondi për kompensimin e ish-pronarëve nuk është djegur me mbarimin e vitit financiar dhe as është bashkuar me fondin për dëmshpërblimin e pronarëve të prekur nga legalizimet. Miratimi i ligjit për fondin special të kompensimit i ka dhënë mundësi Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave që ta përdorë këtë fond me efikasitet.

Aplikimi
AKKP-ja ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dy mijë) lekësh dhe gjithashtu të hapin, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilave nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

Verifikimi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave bashkëpunon me Agjencinë e Legalizimit dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për verifikimin e konfirmimin e të dhënave për subjektet përfituese. Sipas vendimit të miratuar, grupi i punës verifikon legjitimitetin e kërkuesit për çdo kërkesë për kompensim, kontrollon dokumentacionin e paraqitur nga subjekti përfitues. Gjithashtu, grupi i punës konfirmon të dhëna të tjera të nevojshme pranë institucioneve përkatëse. Grupi i punës harton relacionin, në të cilin i propozon drejtorit të Përgjithshëm kalimin e shumës në numrin e llogarisë bankare përkatëse. Në fund përpilon listën e subjekteve që kompensohen. Po sipas vendimit, drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në përfundim të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin për miratimin e listës së subjekteve që kompensohen, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të derdhet vlera e kompensimit. Gjithashtu, urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen, si dhe njofton kërkuesin që nuk përfshihet në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Pagesa
Kompensimi financiar i pronarëve do të bëhet për të gjithë sipërfaqen e tokës së shpronësuar, por pagesa e të gjithë shumës së parave do të bëhet me këste. Qeveria ka zgjedhur të përdorë edhe për ish-pronarët të njëjtën skemë që do të zbatohet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, duke e bërë kompensimin e parave me këste. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, miraton shumën në dispozicion të pronarëve, si dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Pjesa e mbetur e fondit të kompensimit përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave që gjenden në fondin e kompensimit të pronave. Kjo skemë do t’i japë mundësi qeverisë që të përcaktojë një afat konkret për përmbylljen e këtij procesi, si dhe do t’u japë mundësi ish-pronarëve të marrin të gjithë shumën për pronën e tyre, pasi deri vitin e kaluar kompensimi bëhej për sipërfaqe deri në 200 metra katrorë.

Fondi
Si do të bëhet ndarja e parave

Qeveria ka përcaktuar një llogari të posaçme bankare që administrohet nga ana e AKKP-së dhe çelet në një llogari të posaçme të thesarit në Bankën e Shqipërisë. Për burimet e fondit të pronave, qeveria ka përcaktuar disa mënyra.
Së pari
Janë të ardhurat buxhetore ku përfshihen të ardhurat nga buxheti faktik i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara.

Së dyti
Në këtë fond përfshihen të ardhurat të realizuara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore, për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në masën 65 për qind e vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind e vlerës së shitjes për truallin.

Së treti
Janë të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore, sipas ligjit "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar. Ndërkohë që pjesë e fondit do të jenë edhe të ardhura të tjera, që sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore, kalojnë për llogari të kompensimit të pronave.

Përfitimi i parave
Shuma e të hollave të përfituara nga kompensimi financiar, e depozituar në llogarinë bankare, tërhiqet personalisht nga subjekti përfitues apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar. Pagimi i shumës së depozituar në favor të subjekteve përfitues bëhet pas paraqitjes të së gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.

14 Janar 2011

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›